
Partia Demokratike ka depozituar këtë të enjte një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj kryetarit të Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, duke e akuzuar për veprime të paligjshme me karakter elektoral dhe abuziv.
Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso, tha se kallëzimi përfshin tri akuza kryesore: përdorimin e asfaltit elektoral, tenderëve të favorizuar dhe punësimeve të përkohshme për qëllime zgjedhore. Sipas PD-së, këto veprime përbëjnë shkelje të hapura të ligjit dhe tregojnë për përdorimin sistematik të burimeve publike për përfitime politike.
“Bëhet fjalë për një skemë të qartë të keqpërdorimit të fondeve publike në prag të zgjedhjeve, për të ndikuar te votuesit dhe për të forcuar pozitat e mazhorancës në pushtet,” thuhet në njoftimin zyrtar të PD-së.
Partia Demokratike i bën thirrje SPAK-ut të nisë menjëherë hetimet dhe të çojë përpara drejtësisë të gjithë të përfshirët në atë që e cilëson si një “skandal elektoral me përmasa të mëdha”.