
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sfiduar publikisht kryeministrin Edi Rama duke e ftuar në një debat televiziv për të shpalosur përballë qytetarëve programet dhe vizionet e tyre për Shqipërinë. Gjatë një takimi me banorët e zonës së Fushës së Aviacionit, Berisha theksoi se kjo ftesë nuk bëhet për interesa personale, por për të mirën e qytetarëve shqiptarë, të cilët, sipas tij, meritojnë transparencë dhe përballje të hapur të ideve politike.
Berisha tha se Rama i shmanget një debati të tillë për shkak të frikës që, sipas tij, e ka nga vetvetja. “Unë personalisht nuk kam asnjë dëshirë ta takoj atë njeri, por për të mirën e shqiptarëve e ftoj të dalim në një debat përballë qytetarëve. Le të lërë monologjet me zhaba e hardhuca, dhe të përballemi – si të dojë: me gazetarë, pa gazetarë, me qytetarë ose jo. Le të tregojmë se çfarë ofrojmë për të ardhmen e Shqipërisë”, u shpreh ai.
Ish-kryeministri ironizoi gjithashtu kauzat elektorale të PS-së, duke thënë se Rama e paraqet si arritje një pasaportë që është produkt i reformave të ndërmarra vite më parë nga qeveria e PD. “Ai beson gënjeshtrat e veta. Del me një pasaportë dhe e quan evropiane, kur në fakt ajo është rezultat i reformave që bëmë ne. Rama harron që ADN-ja e integrimit europian është ADN-ja e Partisë Demokratike”, deklaroi Berisha.