Vendosni fjalën kyçe....

Tensionet Kosovë-Serbi/ Rama: Samiti jo për zgjidhje konfliktesh dypalëshe. Von der Lyen: T’u kthehen bisedimeve


Kryeministri Rama deklaroi mbrëmjen e sotme se samiti i Procesit të Berlinit nuk do ketë një qëndrim për çështjen e Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se samitet nuk janë vendi i zgjidhjes së çështjeve dypalëshe mes vendeve megjithatë shtoi se ka hapësirë për takime.

“Procesi i Berlinit, si dhe samitet nuk janë vendi për zgjidhjen e çështjeve bilaterale, por në programin e samitit që është përgatitur prej shumë kohësh në harmoni me kancelarinë gjermane dreka e punës e liderëve do t’i kushtohet edhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon. Hapësira për një diskutim të hapur mes të pranishmëve është programuar por nuk është një samit që merr përsipër të gjejë zgjidhje për probleme që siç e tha presidentja në lidhje me çështjen konkrete janë probleme që trajtohen dhe duhet të zgjidhen nën ombrellën e BE.” – tha Rama.

Ndërsa presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen, tha se Kosova e Serbia duhet të kthehen në tavolinë e bisedimeve duke theksuar se si Prishtina ashtu edhe Beogradi do jenë pjesë e BE-së.

“Marrëveshja e Ohrit, është baza për pajtimin nëpërmjet dialogut të BE. Është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë për të normalizuar marrëdhënien mes tyre dhe kjo është e vetmja mënyrë nëpërmjet dialogut. Kjo është rruga e duhur për të ardhmen. Kosova dhe Serbia do të jenë pjesë e BE. Pra pajtimi angazhimi, bashkëpunimi tërësisht të domosdoshme dhe vendi për ta bërë këtë është dialogu.” – tha Von Der  Leyen.