Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: SPAK në provë, hetimi i korrupsionit dhe aferave të inceneratorëve testi më i rëndësishëm


Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku akuzoi nga foltorja e Kuvendit qeverinë për rritje të korrupsionit gjatë viteve të qeverisjes së PS.

Sipas saj “korrupsioni është kthyer në një sistem dhe lufta e atyre që qëndrojnë këtu është që mos ta lejojnë këtë sistem të kthehet në normën e vlerave mbi të cilat duhet të ngrihet shoqëria”.

Ndër të tjera Tabaku i ka bërë thirrje SPAK për të hetojnë korrupsionin dhe aferat e inceneratorëve, duke shtuar se këto dy pika janë testi i tyre më i rëndësishëm.

“Aty gjen gjithçka për të cilën SPAK u krijua”, u shpreh ajo.

Deklarata:

Të luftojmë korrupsionin për të ndërtuar Europën këtu!

Pak ditë më parë, pakkush përkujtoi ditën e luftës kundër korrupsionit. Nuk është se më bëri habi pasi Shqipëria sipas thuajse çdo raporti serioz ndërkombëtar renditet si vendi më i korruptuar në rajon.

Megjithëse për vite me radhë mazhoranca e sotme kur qe në opozitë premtonte të ndëshkonte korrupsionin, ai është rritur bashkë me vitet e qeverisjes.

Çdo sondazh, vendas apo i huaj, e rreshton korrupsionin si arsyen kryesore të braktisjes së vendit tonë nga qytetarë që kanë dëgjuar boll herë një grup të thërras grupin tjetër për të korruptuar.

Prandaj është fatkeqësi që sot, në Shqipërinë shekullit të 21, diskutohet ende me format e vjetra të akuzave të pafundme për korrupsion. Ndërkohë që mungon një politikë reale e lindur nga parlamenti për të nisur luftën kundër korrupsionit.

Në pozicionin që jam, asnjëherë nuk ndjej kënaqësi kur lexoj në mediat ndërkombëtare për përkeqësimin e indekseve të korrupsionit, për mungesën e garës, e për korrupsionin endemik që sot kanë institucionet shtetërore.

Korrupsioni është kthyer në një sistem dhe lufta e atyre që qëndrojnë këtu është që mos ta lejojnë këtë sistem të kthehet në normën e vlerave mbi të cilat duhet të ngrihet shoqëria.

Unë refuzoj të bëhem pjesë e lojës që ka filluar të bëhet e ditës sot, e atyre që bërtasin se kush ka vjedhur më pak a më shumë. Pasi nuk është as logjika e atij që thërret më fortë “hajdut” dhe as taktika e atij që propagandon më mirë “hajdutërinë” e tjetrit, që mund të shpëtojë Shqipërinë nga hemorragjia e largimeve.

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kam depozituar në sekretarinë e Kuvendit të Shqipërisë një paketë me 4 projektligje që do të pasurohet me 3 projektligje të tjera. Unë besoj që institucioni i parlamentit, të qënurit deputet, është rruga e duhur për të hedhur themelet e një sistemi demokratik me në thelb sundimin e ligjit, tregun e lirë dhe meritokracinë.

E kam propozuar këtë paketë pas një pune voluminoze që bashkë me ekspertë dhe specialistë, por edhe kolegë deputetë, ndërmorrëm në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve.

Duke ofruar për këtë sallë të diskutojë, debatojë dhe patjetër edhe të përmisojë ndryshimet dhe projektligjet e propozuara në këtë paketë. Le të jetë ky, ushtrimi i parë i këtij institucioni për të nisur një rrugë të luftës kundër korrupsionit.

Dhe unë besoj që këto 5 pika janë themeltare për të shpjeguar propozimet e kësaj pakete:

Parandalimi i kompanive pa pronar të deklaruar, pa asete dhe që me duar në xhepa edhe pa asnjë ditë eksperiencë të marrin kontrata publike/koncesione/PPP me vlera marramendëse;
Krijimin e sistemit të kontratave publike duke ndjekur shembullin e çdo vendi të Bashkimit Europian ku çdo informacion, për çdo kontratë publike që nga momenti konceptimit e deri në momentin e zbatimit duhet të jetë publike dhe aksesueshëm për të gjithë.

Evidentimin e përgjegjësisë personale për çdo nëpunës civil po ashtu dhe mbrojtjen e tyre nga presioni që drejtues të lartë ushtrojnë mbi to për kontrata dhe tendera publikë. Duke u dhënë atyre mundësinë që jo vetëm të pasqyrojnë ekzaktësisht minutat e takimeve por edhe të deklarojnë votën e tyre duke e sqaruar atë votë përmes sqarimeve në procesverbal. Në këtë mënyrë shmangim parodinë ku peshën e vendimeve politike korruptive e mbajnë mbi supe vetëm nëpunësit civil ndërsa pjesa tjetër fshihet pas përgjegjësisë apo padijes kolektive.

Luftë ndaj teknologjisë së Pastrimit të Parave përmes ndërtimit duke aplikuar ndryshime në ligjin e kontrollit territorit për kontroll të burimeve financiare në ndërtim. Kontroll i imtësishëm dhe skrupuloz i detyruar nga ligji për t’u kryer ndaj kompanive që aplikojnë për ndërtim dhe jo vetëm.

Ndryshim të ligjit të përgjegjësisë materiale. të ligjit për investimet strategjike dhe së fundi ndryshime në Ligjin për Komisionet Hetimore për të cilin të gjithë biem dakord që është i vjetër dhe i dalë mode për funksionet që duhet të ketë sot Kuvendi i Shqipërisë.

Këto 5 pika përmbledhin dhe janë shtyllat e paketës ligjore e cila është një hap teknik dhe ligjor për të vendosur përpara përgjegjshmërisë së pari këtë parlament që të angazhohet në luftën kundër korrupsionit dhe së dyti një mënyrë për të kontrolluar qeverisjen dhe qeverinë.

Sigurisht që në fund të ditës këto ligje janë thjesht një mënyrë për të kontrolluar, në një shtet perfekt, ku ne ndodhemi shumë larg të qenit, në një sistem perfekt ku ne ndodhemi shumë larg të qenit.

Shumë kemi folur e dëgjuar për sistemin që nuk funksionon, po sot mbas 10 vitesh çfarë ka sistemi që nuk funksionon?

Unë mendoj që sot sistemi është po aq i keq sa ishte, akoma dhe më i keq, sot sistemi në fakt është më i sofistikuar!

Sot, sistemi nuk lejon garë, konkurrencë, nuk lejon ekonomi tregu!

Sot, sistemi nuk vlerëson e mbështet më të mirin, nuk ofron meritokraci dhe as mobilitet social. Pasi inxhinierët e këtij sistemi janë specialistët e rilindjes dhe propagandës.

Dhe duke mos dashur të jem shumë teorike, më ndihmuan shumë edhe ndodhitë e fundit.

Ditët e fundit dolën më media, të dhënat/e-mail në lidhje me abuzime të mundshme të një ish ministri të përfolur për aferën e inceneratorëve dhe përfitime të tij nga kompania nga e cila 3 persona me duar në xhepa erdhën dhe morën 430 milionë euro.

Kur nga karrigia e kryetares së komisionit kërkova të dhëna në lidhje me lëvizjet e tyre bankare, u përballa jo me sundimin e ligjit por me sundimin e shantazhit dhe përbaltjes.

Kur i kërkoja llogari institucioneve shtetërore në lidhje me heshtjen e tyre për udhëtimet e ministrave dhe aktorëve të tjerë në këtë aferë, u përballa jo me një sistem institucional demokratik por me një rrjetë të thurur mirë për të mos zbatuar ligjin.

Ky pra është sistemi për të cilin shqiptarët flasin dhe duan ta ndryshojnë apo të largohen sepse ndjehen të vetmuar.

Tani, askush nuk do t’ia di se si kanë dalë këto të dhëna sot. Për mua dhe jam e bindur dhe për shqiptarët, pak rëndësi ka nëse kjo është rezultante e luftës suaj të brendshme, presioni i Mafias ndaj një ish ministri apo thjesht e vërteta del në shesh se nuk futet dot minarja në thes.

Por ajo që po ri shohim prej muajsh që nga krijim i Komisionit Hetimor të Inceneratorëve është zbatimi në praktikë i sistemit të korruptuar.

Ky është shteti i kapur të nderuar kolegë!

Për ta luftuar këtë shtet të kapur shqiptarët presin me kërshëri të dinë:

– Reforma në drejtësi që kemi vite që flasim a po i ndëshkon të paprekshmit në politikë dhe oligarki?

– Drejtuesi i SPAK ka përgjegjësinë të sqarojë opinionin publik, nëse këto të dhëna janë/kanë qenë pjesë e dosjes së SPAK? Janë shqyrtuar apo jo?

– A janë thirrur të gjithë ministrat vendimmarrës të aferës së incernatorëve për të dëshmuar?

– Së fundi, a nuk duhet të gjejë guximin SPAK të hetojë të tre dosjet në një të vetme duke e hetuar dhe dërguar përpara bankës së gjykatës si një Grup i Strukturuar Kriminal?

Sot, politika ka nevojë t’i tregojë qytetarëve që ka një ligj, që duhet zbatuar për të gjithë njëlloj! Sot, duhet t’i tregojmë që pushteti nuk ndikon, që politika nuk ndikon! Sot është dita!

Prandaj diskutimet e fjalimet patetike për korrupsionin nuk kanë vlerë nëse dështojmë të japim mesazhin! Nuk kanë vlerë për sa kohë që na pëlqen drejtësia veç kur është kundër nesh, na pëlqen për sa kohë gjuan e heton veç kundërshtarin!

Drejtësia është një! Drejtësia duhet të jetë një! Prandaj në ditën e luftës kundër korrupsionit unë nuk prisja në fakt asnjë palë të dilte e të pranonte që janë të korruptuar, por prisja që të ofronim zgjidhje! Prisja alternativë apo dhe ide, të gjitha fatkeqësisht munguan.

Prandaj, le ta pranojmë që “korrupsioni ka penetruar në çdo qelizë” dhe që i vetëm askush nuk ia del. Kjo nuk është një luftë solitare, sado vullnet të ketë! Prandaj duhet reagim, duhet reagim nga njerëzit, nga qytetarët, duhet reagim nga drejtësia!

Detyra mbetet që institucionet e reja të drejtësisë, ata për të cilat në një natë u mblodhën 140 vota për të ndryshuar kryekëput kushtetutën, të japin rezultat.

Testi i tyre është korrupsioni dhe afera e inceneratorëve do jetë testi i tyre më i rëndësishëm. Pasi aty gjen gjithçka për të cilën SPAK u krijua! Unë veç kështu shoh se mund ta ndërtojmë Evropën këtu, veç kështu shoh që mund të rikthejmë shpresën pak nga pak çdo ditë!