Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Xhaçka: Nuk ka absolutisht asnjë iniciativë për opsionin imagjinar të rikthimit të vizave


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ka hedhur poshtë lajmet se po kërkohet pezullimi i lëvizjes pa vizave për shqiptarët.

Xhaçka tha se nuk ka patur asnjë iniciativë apo dokument të propozuar nga ndonjë vend anëtar i Këshillit të Evropës për këtë, ndërsa theksoi se këto janë thjesht lajme që përhapin panik dhe kërkoi nga deputetët që mos të diskutonin më për këtë.

“Dua të sqaroj që nuk ka patur absolutisht asnjë iniciativë, përfshirë dokument të propozuar nga ndonjë shtet anëtarë, asnjë diskutim në forumet ndërqeveritare në nivelet e Këshillit, as ndonjë plan jo e jo, që lidhet me opsionin imagjinar të rikthimit të vizave, e as me Shqipërinë dhe të metat e saj imagjinare që do të çonin në një përshkallëzim të tillë të situatës.

Së pari, që mekanizmi i pezullimit të vizave të nxitet duhet që të ekzistojnë një sërë kushtesh që janë të përcaktuara në rregulloren e vizave të Këshillit.

Së dyti, asnjë shtet anëtar nuk mund të vendosë në mënyrë të njëanshme për pezullimin e vizave të shqiptarëve, sepse kjo është një procedurë komunitare dhe vendimin e merr Këshilli, pas disa hapash në fakt proceduriale që duhen bërë ku përshihet Komisioni dhe vendi anëtar që monitorohet.

Së treti, që të nxitet mekanizmi I pezullimit të vizave, duhet të vërtetohet gjithmonë një trend i posaçëm situate në një sërë kushtesh dhe rrethanash, për të cilat monitorohemi jo vetëm në kuadër të liberalizimit të vizave, por edhe në kuadër të raportit vjetor të Komisionit për Shqipërinë.

Dhe nëse lexohen me kujdes këto monitorime, të paktën që nga viti 2020 vlerësimi për Shqipërinë si vend që vazhdon të marrë masa në fushën e menaxhimit të kufijve, të emigracionit dhe azilit, që shifrat e emigracionit të paligjshëm në kufijtë tanë nuk rezulton të kontribuojnë në rritjen e numrit të emigracionit të paligjshëm në rrugën e Ballkanit Perëndimor, që Shqipëria po respekton me shpejtësi kërkesat e shteteve anëtare për ripranimin e shtetasve të vet dhe të vendeve të treta, që bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Frontex-it për operacionet e kthimit është shumë i mirë dhe që Shqipëria reflekton seriozisht mbi nevojën e përafrimit të plotë në politikën e vizave të BE varësisht nga ecuria e negociatave, dhe situata e sigurisë. Të gjitha këto sa thashë, jo vetëm që nuk çojnë në ndërmarrje të tilla ekstreme, si pezullimi i vizave ndaj do ishte mirë që mos të përmendeshin këtu, nga asnjëri prej nesh, por përkundrazi Shqipëria është segmenti më pak problematik në Ballkanin Perëndimor sa i takon çështjes së emigracionit dhe të sigurisë. Të gjithë e dimë se këto lajme përveç se përhapin  panik dhe helmojnë opinionin publik bëjnë edhe një dëm shumë të madh përtej kufijve të Shqipërisë. Diskutimet në Bruksel, janë përqendruar për të njohur sa më parë liberalizimin e vizave për Kosovën.”– tha Xhaçka.