Vendosni fjalën kyçe....

Meta publikon grafikun që rendit universitetet shqiptare të fundit në rajon, thirrje qeverisë e Kuvendit për reforma


Presidenti Meta i ka bërë thirrje qeverisë, Kuvendit e shoqërisë civile që ndërmarrin sa më shpejt reforma për sa i përket arsimit të lartë.

Ai ka publikuar renditjen e universiteve në rajon e botë sipas faqes Webometrics, në të cilën Shqipëria renditet e fundit në rajon për sa u përket uiversiteteve.

Po kështu kreu i shtetit shkruan se reformat e thella e depolitizimi i sistemit arsimor janë domosdoshmëri për rritjen e cilësisë e besueshmërisë së arsimit të lartë.

“Renditja e Shqipërisë, e fundit në rajon në klasifikimin botëror të cilësisë së universiteteve sipas “Ranking Web of Universities” por edhe sistemeve të tjera të besueshme të vlerësimit akademik, është tregues i tronditjes së rëndë të cilësisë së Arsimit të Lartë dhe sinjal alarmi për shoqërinë në tërësi.

Është një thirrje për reflektim të menjëhershëm nga Qeveria, Kuvendi dhe shoqëria civile në tërësi për ndërmarrjen sa më parë të reformave reale dhe të besueshme për rivendosjen e standardeve të larta konkurruese dhe uljen e fiktivitetit në Arsimin e Lartë. Këto reforma strukturore e funksionale dhe veçanërisht depolitizimi i sistemit arsimor, janë kusht dhe domosdoshmëri për rritjen e besimit dhe shpresës te të rinjtë tanë për të studiuar, qëndruar dhe ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre në Shqipëri.

Të rinjtë e mirëarsimuar dhe të kualifikuar janë pasuria më e vyer e vendit dhe kapitali më i çmuar njerëzor. Arsimi duhet kthyer në përparësi kombëtare për të ndalur fenomenin e shpopullimit dhe garantuar zhvillim të qëndrueshëm, progres dhe të ardhme të sigurt europiane.” – shkruan Meta.