Vendosni fjalën kyçe....

Aksident tragjik në minierën në Rusi, 11 të vdekur dhe 43 persona në spital


Një mision shpëtimi është duke u zhvilluar në një minierë qymyri në rajonin Kuzbass të Rusisë, pas një aksidenti fatal që ka lënë të paktën 11 persona të vdekur dhe më shumë se 40 të shtruar në spital.

Operacioni i kërkimit filloi pas raportimeve se kishte tym në një thellësi prej 250 metrash nën nivelin e tokës. Ndonëse nuk raportohet për ndonjë shpërthim apo zjarr, Ministria e Emergjencave ka bërë të ditur se tymi po pengon përpjekjet e ekipeve të shpëtimit.

RT shkruan se gjithsej 285 persona ndodheshin në minierë në momentin e aksidentit dhe më shumë se 200 janë evakuuar.

Rajoni Kuzbass është në Siberi, rreth 3000 km në lindje të Moskës.

Zona është e njohur për rezervat e saj të mëdha të qymyrit. Ngjarja ka ndodhur në minierën Listvyazhnaya, në qytetin e vogël Belovo.

Sipas guvernatorit rajonal Sergej Tsivilyov, 43 të plagosur janë dërguar në spitale, me katër në gjendje të rëndë.

Ai gjithashtu zbuloi se 19 divizione të militarizuara të skuadrës së shpëtimit po punojnë në vendin e aksidentit, ndërsa të tjerë janë rrugës.

Agjencia e lajmeve TASS, duke iu referuar një burimi të paidentifikuar në shërbimet e urgjencës, raportoi se incidenti u shkaktua nga ndezja e pluhurit të qymyrit, duke çuar në përhapjen e tymit përgjatë boshtit të ventilimit.