Vendosni fjalën kyçe....

Lukashenko e pranon: Ne mund t’i kemi ndihmuar emigrantët të futen në BE, por nuk i ftuam këtu


Udhëheqësi i Bjellorusisë Alexander Lukashenko ka thënë BBC-së se është “absolutisht e mundur” që forcat e tij kanë ndihmuar emigrantët të kalojnë në Poloni, por mohon që ata të jenë ftuar të kalojnë përmes vendit të tij.

Mijëra emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, janë përpjekur të hyjnë në BE nëpërmjet Bjellorusisë prej muajsh.

Në një intervistë për median britanike, Alexander Lukashenko tha: “Ne jemi sllavë. Ne kemi zemër. Trupat tanë e dinë se emigrantët po shkojnë në Gjermani.”

“Ndoshta dikush i ka ndihmuar. Unë as nuk do ta shqyrtoj këtë.”- shtoi ai.

BE, NATO dhe SHBA e kanë akuzuar liderin bjellorus se i ka joshur emigrantët në kufi me premtimin e rremë për hyrje të lehtë në BE. Diçka që ai e ka mohuar.

“Unë u thashë atyre (BE-së) se nuk do t’i ndaloj emigrantët në kufi, t’i mbaj në kufi dhe nëse vazhdojnë të vijnë tani e tutje, unë përsëri nuk do t’i ndaloj, sepse ata nuk po vijnë tek vendi im, ata po vijnë tek ju.”- tha ai për gazetarin Steve Rosenberg.

“Por unë nuk i ftova këtu. Dhe të jem i sinqertë, nuk dua që ata të kalojnë nëpër Bjellorusi.”– ka theksuar ai.

Lukashenko ka qenë në pushtet që nga viti 1994, por rizgjedhja e tij si president vitin e kaluar u diskreditua gjerësisht nga Perëndimi dhe nuk u njoh nga BE. Mijëra protestues dhe aktivistë të opozitës u arrestuan dhe liderja e opozitës Svetlana Tikhanovskaya u detyrua të largohej nga Bjellorusia.