Hungaria ka përshëndetur vendimin e UEFA-s për të mos lejuar veshjen e stadiumit të Mynihut me ngjyrat LGBT për ndeshjen Gjermani-Hungari ditën e nesërme, e vlefshme për fazën në grupe të EURO 2020.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha se vendimi i UEFA-s për të mos lejuar ngjyrat e ylberit në stadium ishte i duhuri.
“Falë Zotit, mendja e shëndoshë mbizotëron ende në qarqet e udhëheqjes evropiane të futbollit dhe ata nuk kanë luajtur lojën e provokimit politik. Mund të them se udhëheqja e UEFA-s mori vendimin e duhur kur vendosën të mos luanin lojën e provokimit politik kundër Hungarisë.” – tha ai.
Propozimi për veshjen e stadiumit të Mynihut me ngjyrat e ylberit erdhi nga këshilli bashkiak i qytetit në formë proteste ndaj ligjeve të miratuara në Hungari së fundmi, të cilat sipas zyrtarëve gjermanë janë homofobike e transfobike.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani