Statistikat e studimit në universitetet shqiptare po tregojnë thellim të pabarazisë gjinore në të gjitha nivelet e studimit.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në vitin akademik 2020-2021, rreth 63% e studentëve të regjistruar për të ndjekur studimet e larta ishin femra. Hendeku ishte shumë i lartë në Universitetin e Mjekësisë ku 91% e regjistrimeve ishin femra në studimet Bachelor. Në këtë universitet, në vitin aktual akademik, u regjistruan 1798 studentë, prej të cilëve 1630 ishin femra.
Pothuajse në të gjitha universitetet dhe degët e tyre dominojnë femrat përveç Politeknikut, ku ato përbënin 31% të të gjitha regjistrimeve.
Për studimet master, diferenca është edhe më e lartë. Pasi në vitin aktual akademik nga totali i regjistrimeve 69% ishin femra. Në Universitetin e Tiranës, 82% e regjistrimeve për master ishin ferma dhe në Universitetin e Mjekësisë, 77 për qind.
Diferenca gjinore në studimet e larta po krijohet nga emigracioni i lartë dhe prirja më e madhe e vajzave për të studiuar dhe për të krijuar një jetë të pavarur. Emigrimi tek të rinjtë është mjaft i përhapur në vendin tonë, sidomos në vitet e fundit pas heqjes së vizave.
Në dekadat e fundit, numri i studentëve femra po dominon në të gjithë botën. Kjo dominancë lidhet me rritjen e ofertës universitare, por edhe ndryshimit të qëndrimeve kulturore në vendet në zhvillimin.
Femrat tani përbëjnë shumicën e studentëve në arsimin e lartë në të gjithë botën. Pothuajse 53% e studentëve ishin femra në 2018, nga pak më pak se 51% në 2011, sipas statistikave të OKB-së. Përqindja ishte veçanërisht e lartë në Brazil, Australi dhe Itali, por relativisht i ulët në Korenë e Jugut dhe Japoni.
Megjithëse gratë po diplomohen gjithnjë e më shumë se meshkujt, mundësitë e punësimit nuk kanë ndjekur domosdoshmërisht të njëjtin shembull.
Statistikat globale tregojnë se edhe në vendet ku pjesëmarrja e femrave në arsimin e lartë është rritur ndjeshëm, numri i femrave të punësuara nuk është rritur.
Hendeku gjinor i pagave gjithashtu është i pranishëm, kur gratë kalojnë në role menaxheriale. Nga 93 vendet për të cilat disponohen të dhëna, hendeku gjinor i pagave është më i lartë për menaxherët sesa për totalin e punonjësve në 43 vende. Në Shqipëri, hendeku gjinor në sektorin e pagave gjatë vitit 2019 ishte 10% sipas shifrave të INSTAT.
Hendeku gjinor i pagave mbetet një tregues i vazhdueshëm i pabarazisë midis burrave dhe grave në botën e punës.
Në vendet me të ardhura të larta, ashtu edhe në ato me të ardhura të ulëta, gratë ende kryejnë pjesën më të madhe të punëve në shtëpi dhe gjithashtu të punësuara në punë me pagesë të plotë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor