Vendosni fjalën kyçe....

Urdhërat e Donika Prelës për Klodian Brahon shkelen me këmbë (Fotot)


Nëse doni të kuptoni se si “rrjedhin” sekretet, përgjimet dhe aktet e Prokurorisë për Krime të Rënda, “Boldnews.al” po ju sjell me foto ekskluzive mekanizmin që përdoret në raste të tilla.

Sekretet dhe aktet e brendshme të Prokurorisë së drejtuar nga Donika Prela i gjeni lehtësisht… në rrugë.

“BN” ka siguruar foto të një shkrese të nënshkruar nga shefja e Krimeve të Rënda, e cila i delegon kompetencat e drejtuesit një prej prokurorëve të saj më të afërt, Klodian Braho.

Siç duket në fotot që shoqërojnë shkrimin, dokumenti i brendshëm i Prokurorisë për Krime të Rënda gjenden në trotuarin pranë godinës së institucionit. Dokumenti është i shkelur me këmbë nga kalimtarët, ndoshta një formë për të dëshmuar se sa vlerë kanë aktet e nënshkruara nga Donika Prela.

Në dokumentin që mban datën 21 qershor, pra vetëm para pak ditëve, Donika Prela, për shkak të një udhëtimi jashtë Shqipërisë, i delegon kompetencat e drejtuesit të Prokurorisë, shefit të seksionit, Klodian Braho.

Në dokument citohet baza ligjore, si edhe porositë që Prela i lë Brahos. Në bazë të këtij dokumenti, që gjendet në tokë, Braho merr kompetenca të kufizuara, kryesisht për veprimet që lidhen me firmosjen e shkresave përcjellëse që i dërgohen gjykatës për masat e sigurimit dhe për hetimet paraprake.

Donika Prela është kujdesur që të theksojë se me këtë urdhër duhet të njihen të gjithë prokurorët e Krimeve të Rënda.

Por, në fakt, me këtë urdhër duket se janë njohur të gjithë kalimtarët që u ka rënë rruga pranë godinës së Prokurorisë për Krime të Rënda. Madje, qytetarët e rastësisht kanë “vulosur” dokumentin e Donika Prelës me shenjën e këpucëve të tyre.

Donika Prelës duket se i ka ecur “ters” me dokumentat e brendshëm, që prej kohës kur ajo ka marrë detyra drejtuese. Pak kohë pasi ajo u caktua drejtuese e Prokurorisë së Durrësit në mënyrë anti-ligjore nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, ambjentet e institucionet ranë pre e vjedhjes me dhunë, ngjarje e ndodhur për herë të parë në Shqipëri pas vitit 1997.

Po ashtu, vetëm pak ditë pasi Prela ishte emëruar drejtuese e Krimeve të Rënda dhe vetëm pak orë pasi ajo kishte përfunduar një vizitë të gjatë në ambjentet e Prokurorisë së Durrësit, godina në qytetin bregdetar bëhet sërish pre e vjedhjes, duke shënuar një tjetër rast skandaloz.

Pasi Prela emërohet, po në kundërshtim me ligjin, në krye të Krimeve të Rënda, nga kjo prokurori rrodhën një seri përgjimesh nga dosjet “339” dhe “184”. Për këto “rrjedhje informacionesh”, Donika Prela deklaron se ka nisur edhe një hetim për nxjerrje sekreti hetimor, pavarësisht se nuk e ka për kompetencë të zhvillojë këtë procedurë.

Tashmë, fotot që shoqërojnë këtë shkrim, janë një dëshmi e radhës e ç’organizimit perfekt që po i ndodh Prokurorisë për Krime të Rënda nën drejtimin e Prelës.

Por, gjithashtu, këto foto dëshmojë edhe për “seriozitetin” me të cilin trajtohen dokumentat në strukturën më të rëndësishme të prokurorisë shqiptare.

Është interesant të shihet reagimi i kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili është shumë i ndjeshëm ndaj aktivitetit të prokurorisë së drejtuar nga Arta Marku.

Gjithashtu, është me interes një reagim i mundshëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), i cili po verifikon dy emrat e përmendur në shkresë, të cilët janë kandidatë për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

Dhe së fundmi, kushdo i interesuar për hetimet që po zhvillohen nga Krimet e Rënda, nuk ka nevojë të “fusi mik” për të rrëmuar nëpër zyra. Mjafton të ecë rrotull godinës së institucionit dhe të mbaj sytë nga trotuari.

Ndoshta këtë mënyrë të ecuri ka praktikuar edhe gazetari i gjermanes “Bild”, Peter Tiede, gjatë vizitës së tij në Tiranë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *