Vendosni fjalën kyçe....

Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit: Ortakëria politike nuk deshi të bëhej drejtësi, nuk u gjykua as ish-ministri, as baxhanakët e djeshëm e as kunetërit e sotëm


Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit, në 13 vjetorin e tragjedisë nëpërmjet një deklarate për shtyp thotë se drejtësia ka dështuar.

Në deklaratën e tyre thuhet se “drejtësia ka lënë të pagjykuar edhe ish-ministrin e sotëm që sot kandidon për deputet por nuk ka kapur as baxhanakët e djeshëm dhe as kunetërit e sotëm”.

Më tej shoqata thotë se drejtësia ngatërroi edhe emrin e personit që i vuri zjarrin barutit dhe la të lirë të merreshin me biznes ata që ndërtojnë pallate dhe të qeverisin rehat.

Ata madje thonë se “ortakëria politike” nuk deshi të bëhej drejtësi.

Më tej kjo shoqatë thotë se politika nuk nxori asnjë mësim nga tragjedia asnjë ligj nuk u rishikua madje edhe reforma në drejtësi i vuri kapakun çështjeve të vjetra.

Nuk u nxor asnjë leksion nga kjo tragjedi. Ligjet nuk u rishikuan për të mos lënë më të ndodhin ngjarje të tilla. Ligjet nuk u rishikuan për të bërë të mundur që hetimet të bëhen ashtu siç duhet. Madje, edhe reforma në drejtësi i vuri “tapën” çështjeve të vjetra, të kohës para reformës, që të mbyllte hesapet e vjetra me qëllim që t’i hapte rrugë pazareve të reja”-thuhet në deklaratë.

Deklarata e plotë:

Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit gjen rastin sot, në vitin e 13-të përkujtimor të tragjedisë së Gërdecit, të falënderojë dashamirësit që nga afër ose nga larg na japin kuroja për të vazhduar jetën dhe për të çuar luftën tonë për të drejtën deri në fund. Tashmë 15 marsi është bërë një ditë simbol për të vlerësuar drejtësinë, politikën dhe njerëzillëkun.

Drejtësia u sprovua dhe dështoi. Pavarësisht se disa persona u dënuan, ata tashmë i lanë duart nga drejtësia dhe shumë të tjerë nuk u hetuan. Dëgjuam lloj-lloj emrash kafshësh që u përfolën, që lanë gjurmë mbi letra e fakse, por nuk pati askush kurajën të hetonte e ta zbardhte ngjarjen. Drejtësia e la të pagjykuar edhe ish ministrin që sot kandidon për deputet. Pra, drejtësia nuk kapi as baxhanakët e djeshëm dhe as kunetërit e sotëm. Madje drejtësia ngatërroi edhe emrin e personit që i vuri zjarrin barutit. Drejtësia i la të lirë t’i ktheheshin biznesit apo politikës, që të ndërtojnë pallate për të qerasur politikën dhe kjo e fundit të qeverisë rehat pallatet. Jetët e humbura në 15 mars 2008 nuk kthehen më, por drejtësia mund të vendosej, me hir ose pahir. Me reformë drejtësie apo jo. E megjithatë, “ortakëria politike” nuk deshi të bëhej drejtësi.

Dhe këtu vijmë të e dyta. Politika. Ajo u vu në sprovë dhe dështoi. Nuk u nxor asnjë leksion nga kjo tragjedi. Ligjet nuk u rishikuan për të mos lënë më të ndodhin ngjarje të tilla. Ligjet nuk u rishikuan për të bërë të mundur që hetimet të bëhen ashtu siç duhet. Madje, edhe reforma në drejtësi i vuri “tapën” çështjeve të vjetra, të kohës para reformës, që të mbyllte hesapet e vjetra me qëllim që t’i hapte rrugë pazareve të reja.

Njerëzillëku u vu gjithashtu në sprovë, por për fat të keq dështoi edhe ky. Dikur politikanë të të gjitha gjatësive e gjinive, zinin radhën për të bërë paradën e mbështetësve tanë, ndërsa sot kanë harruar çfarë ndodhi në Gërdec. Por, pa harruar që ata që gatuan vdekjen në Gërdec, me mbështetjen e politikës së vjetër, sot gatuajnë beton në Tiranë të bekuar nga politika e sotme e re.

Sot, ne denoncojmë shëmtinë e politikes , që bëjnë sikur ishin dhe janë me ne kur në të vërtetë kanë bërë të gjitha përpjekjet për të na penguar në gjykatat vendase apo edhe në Strasburg, që ne të humbim të fundit amanet të atyre që nuk jetojnë më dhe të fitojnë ata që sot riciklohen në politikë si gjoja “kundërshtarët” e tyre.

Sot, ne familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, i themi vrasësve që pavarësisht se mund të mendojnë që i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë apo me ndonjë ambasadë, ata nuk i kanë mbyllur hesapet me ne dhe me popullin e thjeshtë të këtij vendi. Njohja e krimit dhe vënia e drejtësisë në vend i bën nder atyre që e bëjnë këtë dhe na vë në paqe ne viktimave të krimit. Njohja e krimit është hapi i parë i njerëzillëkut, ndëshkimi i tij i shërben drejtësisë dhe nxjerrja e leksioneve i shërben të ardhmes sonë të përbashkët. Deri atëherë, me mend në kokë o popull i thjeshtë i këtij vendi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *