Videoja e një maceje në Kinë është bërë virale në rrjet, për shkak të shenjave të saj në fytyrë që e bëjnë të duket sikur është e trishtuar, e pikëlluar.
Macja e bërë e famshme tani, ka dy njolla të zeza sipër syve të saj të cilat e bëjnë të duket sikur ka rrudhur vetullat nga trishtimi.
Miliona përdorues të internetit, janë argëtuar nga ‘shprehja e trishtuar’ e maces pasi një grua e gjeti atë në rrugë, e filmoi dhe e shpërndau videon në aplikacionin kinez “Douyin”, i ngjashëm me TikTok-un.
Videoja ka grumbulluar shpejt dy milion shikime, me komentues që shkruajnë: “Çfarë të ka ndodhur? Pse po dukesh kaq e trishtuar!”
Një përdorues tjetër i rrjetit shkruan:”Kjo është gallatë. Më kujton shefin tim që gjithnjë ishte i zemëruar me mua haha.” Që kur videoja e parë u bë virale, Daily Mail shkruan se studentja e quajtur Xin e ka parë shpesh macen, e cila besohet të jetë një kafshë e humbur.
Ajo thotë se s’mundet dot ta marrë vetë në shtëpi, pasi tashmë e kishte një mace të përkëdhelur. Një klip tjetër tregon studenten që i sjell ushqim dhe ujë maces.