Presidenti turkmen, Gurbanguly Berdymukhammedov, ka mbajtur fjalimin hapës në një forum ekonomik në Turkmenistan, duke shënuar kështu paraqitjen e tij të parë publike që nga 5 korriku, prej kur kanë nisur thashethemet se ka vdekur në spital, apo se ndodhet në gjendje kome në spital.
Fjalimi i Berdymukhammedov, i cili zgjati për më shumë se 20 minuta, u transmetua live. “REL” shkruan se presidenti u shfaq i fortë dhe i shëndetshëm – duke folur qartë dhe në mënyrë koherente ndërsa i drejtohej personaliteteve të huaja në audiencë.
Fotografitë nga salla e konferencave treguan gjithashtu se Berdymukhammedov ishte ulur në audiencë pranë kryeministrit rus Dmitry Medvedev.
Thashethemet e pakonfirmuara për vdekjen e Berdymukhammedov u raportuan nga mediat ruse në 20 korrik – më shumë se dy javë pasi sundimtari autoritar 62-vjeçar u shfaq për herë të fundit në publik.
Berdymukhammedov kishte qenë zyrtarisht me pushime për gati një javë kur Aslan Rubayev, drejtori i Qendrës për Monitorimin e Problemeve Euroaziane, i tha radiostacionit rus se Berdymukhammedov kishte vdekur për shkak të problemeve me veshkat.
Mungesa e vazhdueshme e Berdymukhammedov i përforcoi thashethemet se ai mund të kishte vdekur ose ka rënë në gjendje kome gjatë trajtimit në spital.