Vendosni fjalën kyçe....

Bie me 5% fitimi i sistemit bankar


Business concept – Stacks of coins on various bar charts

Fitimi i sistemit bankar ishte 10.5 miliardë lekë në 6 mujorin e parë të vitit, me një rënie prej 4.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, e cila i raporton të dhënat në bazë të stadardeve lokale të kontabilitetit.

Rënia e fitimeve erdhi si rrjedhojë e uljes së të ardhurave nga interesat dhe rritja e shpenzimeve për provigjionime, që në kahun tjetër janë amortizuar nga rritja e ndjeshme e të ardhurave jo nga interesi.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë (BSH), të ardhurat neto nga interesi ranë me 7.6% në 20.5 miliardë lekë. Teksa bankat po veprojnë në një mjedis me norma të ulëta interesi, si rrjedhojë e politikës monetare lehtësuese të BSH-së, që ka ulur normën bazë të lekut në 1%, ndërsa dhe kthimi nga euro është minimal, kjo po reflektohet dhe në të ardhurat e tyre. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë deklaroi në daljen e fundit publike se politika lehtesuese do të vijojë, madje ai paralajmëroi se mund të ketë një tjetër ulje për shkak të performancës së dobët të ekonomisë, që është rritur më pak sesa pritej në gjysmën e parë të vitit.

Në kahun tjetër, bankat iu gëzuan përmirësimit të të ardhurave jo nga interesi, të ndikuar nga fitimet nga instrumentat financiarë (kryesisht bono). Ky i fundit ishte pozitiv prej 443 milionë lekësh nga -6.5 miliardë lekë që ishte në janar-qershor 2018.

Shpenzimet për provigjione ishin minimale, por gjithsesi në 6 mujorin e një viti më parë kishin qenë negative prej gati 7 miliardë lekësh.

Pavarësisht rënies së fitimeve, treguesit e performancës janë përmirësuar. Kthyeshmëria nga kapitali (ROE) u rrit nga 11% në 6 mujorin e parë 2018, në 14.7% në janar-qershor 2019. Kthyeshmëria nga aktivet (ROA) u rrit nga 1.2% në 1.6% për të njëjtën periudhë.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *