
Të paktën 25 persona humbën jetën më 11 prill 2026 si pasojë e një shtypjeje të turmës pranë Citadelle Laferrière, një prej destinacioneve kryesore turistike në veri të Haitit, përcjell Euronews.
Autoritetet lokale në Cap-Haïtien bënë me dije se ngjarja u shkaktua nga mbipopullimi gjatë festimeve tradicionale të Pashkës, duke çuar në asfiksi dhe shkelje të personave nga turma. Raportohet se numri i viktimave mund të ketë arritur deri në 30, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.
Rreth 30 persona vijojnë të jenë të shtruar në spital, ndërsa disa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, çka ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në tubime të mëdha publike.
Sipas autoriteteve, incidenti ndodhi pranë hyrjes së fortesës, ku po zhvilloheshin aktivitete kulturore dhe një ekskursion shkollor. Reshjet e shiut dhe rrugët e ngushta e të pjerrëta shkaktuan panik, duke bërë që njerëzit të vraponin për t’u larguar, çka çoi në rrëmujë dhe viktima.
Policia Kombëtare e Haitit ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të tragjedisë, ndërsa autopsitë për viktimat kanë filluar më 12 prill.
Qeveria haitiane ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin përhapjen e thashethemeve, duke bashkëpunuar me ekipet e emergjencës që vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në zonë.