Vendosni fjalën kyçe....

Goditen tre call centera në Tiranë, dyshohet se mashtronin qytetarët evropianë


Tre call centera janë goditur në Tiranë. Në operacion janë përfshirë edhe autoritetet gjermane. Dyshohet se call centerat në fjalë mashtronin qytetarët evropianë.

Dy prej call centerave ndodhej te Kopshti Zoologjik ndërsa tjetri te Rruga e Kavajës. Gjatë operacionit janë sekuestruar shuma parash ndërsa dyshohet se ka pasur të arrestuar.

Ndërhyrja është realizuar nga Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe austriake, të cilat kishin rolin nismëtar duke përcjellë informacionet fillestare tek pala shqiptare. Hetimet për këtë çështje kishin nisur rreth dy vite më parë, pas shkëmbimit të të dhënave mes institucioneve përkatëse.

Sipas të dhënave paraprake, në këto struktura ishin të angazhuar dhjetëra persona, rreth 70 operatorë në total, të përfshirë në aktivitetin e dyshuar mashtrues. Vetëm në njërën prej qendrave, ajo në Rrugën e Kavajës, gjatë kontrollit janë konstatuar rreth 60 persona brenda ambienteve.

Prokuroria ka lëshuar 9 masa sigurie për individët e përfshirë, ndërsa deri tani raportohet për 4 të arrestuar, me kërkimet që vijojnë për persona të tjerë të dyshuar, raporton Shqiptarja.

Gjatë operacionit janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm, si dhe pajisje elektronike dhe kompjuterike që shërbenin për realizimin e skemës së mashtrimit ndaj shtetasve europianë.