
Një bazë armatimi është zbuluar në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Picalla”, ndërsa një 66-vjeçare është arrestuar dhe djali i saj është shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit të Policisë, baza dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale me armë zjarri. Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit O. Q., në fshatin Picallë, u gjet një arsenal i konsiderueshëm armësh dhe municionesh.
Nga kontrollet u sekuestruan 5 armë zjarri automatike, 1 pushkë, 3 pistoleta, 1 armë gjahu, një bajonetë, silenciator, si dhe uniforma dhe pajisje të ngjashme me ato të Policisë. Gjithashtu, u gjetën rreth 900 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, fitila zjarrpërcjellës dhe kapsolla detonatore.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasja M. H., 66 vjeçe, ndërsa u shpall në kërkim djali i saj, shtetasi O. Q., 41 vjeç.
Policia bën me dije se armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekspertizë, me qëllim verifikimin nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.