Vendosni fjalën kyçe....

Aksident në aksin Berat–Poliçan, makina del nga rruga, plagoset babai dhe dy vajzat e mitura



Një aksident rrugor është regjistruar në Vërtop, përgjatë aksit nacional Berat–Poliçan, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga një lartësi disa metra, duke lënë të plagosur tre persona.

Sipas informacioneve paraprake, një mjet tip “Toyota”, që udhëtonte nga Berati në drejtim të Poliçanit, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar jashtë rruge.

Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur një 40-vjeçar dhe dy vajzat e tij të mitura, përkatësisht 14 dhe 9 vjeçe, të cilët ndodheshin në automjet në momentin e ngjarjes.

Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.