
Liderja e opozitës në Tajvan, Cheng Li-wun, pritet të udhëtojë drejt Kinës në një vizitë që ajo e cilëson si “mision paqeje”, mes përpjekjeve të Xi Jinping për të shtuar mbështetjen ndaj ribashkimit me ishullin, përcjell Reuters.
Cheng, kryetare e Kuomintang (KMT), partia më e madhe opozitare në Tajvan, udhëton në një kohë tensionesh të shtuara ushtarake nga Pekini dhe përplasjesh politike të brendshme lidhur me një plan prej 40 miliardë dollarësh për mbrojtjen.
Partia e saj ka theksuar se “paqja është themeli i vetëm për prosperitetin”, ndërsa partia në pushtet, Partia Demokratike Progresiste, e akuzon opozitën se po bashkëpunon me Pekinin për të dobësuar kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Cheng është shprehur më herët se paqja nuk mund të arrihet vetëm përmes forcës ushtarake, por kërkon edhe përpjekje politike.
Vizita e saj vjen një muaj para një samiti të pritshëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Xi Jinping në Pekin, ku pritet të diskutohen çështje të ndjeshme, përfshirë Tajvanin.
Kjo është vizita e parë e një lideri të KMT-së në Kinë pas një dekade, megjithëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse Xi Jinping do ta takojë Cheng gjatë qëndrimit të saj në Pekin.
Ndërkohë, autoritetet tajvaneze i kanë bërë thirrje Cheng që t’i kërkojë Pekinit ndalimin e presionit ushtarak dhe respektimin e të drejtës së popullit tajvanez për të vendosur mbi të ardhmen e tij.
Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe nuk përjashton përdorimin e forcës për ribashkim, megjithëse deklaron se preferon një zgjidhje paqësore.