Vendosni fjalën kyçe....

Çokollata është shumë e shijshme, po çfarë sasie mund të jetë fatale


Nëse keni një qen, ndoshta e dini që nuk duhet t’i jepni çokollatë. Ajo mund të jetë një ëmbëlsirë e shijshme për njerëzit, por është toksike për një qen. Por mund t’ju surprizojë fakti se sa shumë kafshë të tjera mund të gjejnë vdekjen nga një çokollatë, sepse përgjigja është: “pothuajse të gjitha”. Po edhe njerëzit mund të rrëzikojnë.

Çfarë e bën çokollatën vdekjeprurëse?

Në këtë epokë paranoje dhe rregullash strikte, mund të tundoheni t’ua vini fajin aditivëve ose proceseve të përpunimit – por në fakt, çokollata vjen nga toka e gatshme për të vrarë.

“Çokollata rrjedh nga farat e pjekura të bimës Theobroma cacao,” shpjeguan pediatria Fiona Finlay dhe veterineri Simon Guiton në vitin 2005, “dhe përbërësit kryesorë toksikë janë alkaloidet metilksantinë: teobromina dhe kafeina.”

Ndoshta jeni të ndërgjegjshëm se kafeina është toksike në sasi të larta, por duhet thënë se është e vështirë të arrihet përmes rrugës normale të gëlltitjes, sepse duhen rreth 70 filxhanë kafe kakao për një dozë fatale, por shumë njerëz janë vrarë aksidentalisht me pluhur kakaoje. Arsyeja është se ajo është një stimulues që ndikon në zemër dhe në sistemin nervor qendror, shumë në një kohë shumë të shkurtër, dhe zemra juaj thjesht nuk mund ta përballojë.

Teobromina ka efekte të ngjashme, ndonëse godet trupin në mënyra të ndryshme. Ajo është një stimulues zemre më i fuqishëm se kafeina – fakt i rëndësishëm ky, dhe qëndron në trup më gjatë. Kafeina, nga ana tjetër, rrit presionin e gjakut, ndërsa teobromina e ul atë, por të dyja stimulojnë sistemin gastrointestinal. Mbidozimi mund të shkaktojë probleme të tmerrshme stomaku si përzierje, të vjella, ngërçe dhe dhimbje.

Në përgjithësi, këto dy lëndë përbëjnë një dozë të rëndë helmi nëse hani mjaftueshëm çokollatë – dhe nuk është një mënyrë e këndshme për t’u larguar nga kjo botë.

Mbijetesa ndaj një doze vdekjeprurëse

Njerëzit kanë disa përparësi. Ata janë shumë të mirë në metabolizimin e teobrominës dhe kafeinës. Arsyeja është e thjeshtë: mëlçia jonë e madhe. Ajo është plot me enzima që mund të përpunojnë të gjitha llojet e toksinave bimore. Kjo është arsyeja pse ne mund të tolerojmë edhe alkoolin kaq mirë krahasuar me kafshët që varen nga mishi, si macet dhe qentë, shkruan IFL Science.

Kur hamë çokollatë, mëlçitë tona e kthejnë kafeinën në paraksantinë dhe teobrominën në ksantinë dhe acid metilurik. Pastaj, thjesht i nxjerrim jashtë përmes urinës. Për të vdekur nga çokollata, do duhej të hanim aq shumë dhe aq shpejt, sa të mposhtim aftësinë natyrore të trupit tonë për ta përpunuar atë. Është shumë e vështirë, por e mundur.

Pra, sa duhet?

Për këtë, duhet të shohim nivelin LD50: Sasia e një lënde që duhet për të vrarë 50 për qind të një popullsie testuese. Shifra që citohet shpesh për njerëzit është 1,000 mg për kg peshë trupore.

Nëse një i rritur mesatar peshon rreth 84 kilogramë, kjo do të thotë se deri në 84 gramë teobrominë e pastër duhet të jetë kufiri. Sa më e zezë çokollata, aq më shumë teobrominë ka. Edhe në formën e çokollatës së zezë për gatim (më e hidhura), do duheshin rreth 6.5 kilogramë për të arritur limitin.

Kjo do të thotë:

Mbi 6.3 kg në një vakt;

39 filxhanë me copëza çokollate;

8,300 karamele “Hershey’s kisses”;

Ose 50 nga çokollatat më të mëdha Cadbury’s Dairy Milk.

Sa i përket kafeinës, do duheshin më shumë se 23 kilogramë çokollatë për të arritur një dozë fatale. Deri në atë pikë, praktikisht mund të garantojmë që trupi juaj do ta refuzojë ushqimin. Shumicën e kohës, trupi vetëmbrohet përmes të vjellave përpara se sasia të bëhet toksike.

Ndoshta mund të vdisni nga sasia e tepërt e çokollatës, por do ishte një punë shumë e vështirë. Nëse hani aq shumë në një herë, do hasni probleme të tjera të dhimbshme fillimisht.

Por jo të gjitha kafshët janë aq me fat. Njerëzit (dhe minjtë) janë të pazakontë për tolerancën tonë ndaj çokollatës. Shumica e kafshëve të tjera – përfshirë qenin, macen, lepurin ose papagallin tuaj – do vdesin shumë më shpejt nga doza shumë më të ulëta.