
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, foli në një dalje për mediat mbi situatën e kriminalitetit në vend, rastet e dekonspirimeve në radhët e Policisë së Shtetit, si dhe për deklaratat e prokurorit italian Roberto Rossi.
Ky i fundit është shprehur se “mafia shqiptare është më e rrezikshme në Europë”, një deklaratë që Lamallari e kundërshtoi, duke theksuar se përdorimi i këtij termi nuk i përkon realitetit shqiptar.
Ministri pranoi se ka pasur raste dekonspirimi brenda policisë, por theksoi se ndaj tyre janë marrë masa të menjëhershme. “Ka pasur raste kur punonjës të policisë kanë ndarë informacione të ndaluara me persona të inkriminuar. Masat kanë qenë të menjëhershme: përjashtim nga radhët e policisë dhe ndjekje penale. Nuk do të tolerohen raste të tilla,” u shpreh ai.
Lamallari solli edhe statistika për luftën kundër kriminalitetit, duke theksuar se rritja e evidentimit të veprave penale, sidomos në fushën kibernetike, lidhet me forcimin e kapaciteteve goditëse dhe jo domosdoshmërisht me rritje të kriminalitetit. Ai nënvizoi gjithashtu se gjatë vitit të kaluar është shënuar një rritje me 110% e kapjes së personave në kërkim.
Sa i përket termit “mafie”, ministri u shpreh se ai është i papërshtatshëm për kontekstin shqiptar dhe duhet zëvendësuar me termin “grupe të strukturuara kriminale” ose “rrjete kriminale”.
“Termi ‘mafie’ vjen nga Italia dhe ka elementë specifikë historikë e kulturorë. Nuk është korrekt të përdoret për Shqipërinë. Duhet të jemi të kujdesshëm me etiketime të tilla që dëmtojnë imazhin e vendit,” theksoi ai.
Në fund, Lamallari apeloi për më shumë përgjegjshmëri në trajtimin e çështjeve të sigurisë, duke shtuar se Shqipëria nuk duhet të stigmatizohet, ndërsa shumica e qytetarëve jetojnë dhe punojnë me ndershmëri brenda dhe jashtë vendit.