Vendosni fjalën kyçe....

“Do prodhojmë zjarrfikëse, do ngremë 1 mijë laboratorë teknologjie” – Rama


Kryeministri Rama tha sot se së shpejti do nisë prodhimi i zjarrfikëseve në vend. Gjatë takimit me kryebashkiakët, ai tha se mjetet e prodhura do vihen në dispozicion të bashkive për nevojat e tyre.

“Jemi të vetëdijshëm për mangësitë e trashëguara në logjistikën që lidhet me zjarrfikësit. Për këtë arsye kemi miratuar një projekt të paraqitur nga ministri i pushtetit vendosur lidhur me mobilizimin e një financimi të nevojshëm duke shfrytëzuar kapacitetet e kompanisë që është një shoqëri e përbashkët shtetërore dhe private e krijuar rishtaz në sistemin tonë të ministrisë së mbrojtjes. Do nisim të vëmë në dispozicion të bashkive automjetet zjarrfikëse që janë të domosdoshme”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi më tej se qeveria synon të ndërtojë 1 mijë laboratorë të dedikuar për teknologjinë. Këta laboratorë sipas kreut të qeverisë do shfrytëzohen nga nxënësit pas orëve të mësimit.

“Laboratorë të dedikuar për teknologjinë në klasat e shkollave të cilat sot që flasim janë mbi 300, ndërkohë që me programin e qeverisë do të shkojnë në 1 mijë. Nuk mund të jenë laboratorë për nxënësit vetëm gjatë orës së mësimit, por edhe të mësimit të teknologjisë pas orës së mësimit. Për këtë duhet angazhimi dhe puna e drejtorive e bashkive për të organizuar një sistem ku të rinjve t’iu jepet mundësi të kenë akses në këto laboratorë”, theksoi Rama.