Vendosni fjalën kyçe....

Paralajmërimi i ambasadës amerikane, qeveria: S’kemi info shqetësues mbi këtë hamendësim


Agjencia për Media dhe Informim pranë qeverisë shqiptare ka reaguar pas paralajmërimit të bërë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë mbi rrezikun e mundshëm të sulmeve nga grupe të lidhura me Iranin në Shqipëri.

Në qëndrimin zyrtar, institucioni qeveritar e cilëson këtë paralajmërim si një vlerësim hipotetik, duke theksuar se autoritetet ligjzbatuese shqiptare nuk disponojnë informacion konkret që të tregojë për një kërcënim të afërt, shkruan Shqiptarja.

Në reagim theksohet se ambasada amerikane lëshon herë pas here njoftime të ngjashme paralajmëruese, duke përfshirë edhe situata që lidhen me protesta apo incidente të ndryshme publike. Në këtë kuadër përmenden edhe protesta të organizuara nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe lideri i saj Sali Berisha.

Agjencia për Media dhe Informim shton se institucionet shqiptare të sigurisë nuk kanë evidentuar të dhëna shqetësuese që të konfirmojnë një rrezik konkret. Në përfundim të reagimit, qytetarët amerikanë ftohen të vazhdojnë të vizitojnë Shqipërinë, duke u theksuar potenciali turistik i vendit, mikpritja dhe oferta e tij kulinare.

“Ambasada e SHBA jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja, por agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane. Kështu që ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në reagimin e Agjencisë për Media dhe Informim.