Vendosni fjalën kyçe....

Rrëzohet një avion ushtarak në Kolumbi, 66 viktima dhe dhjetëra të plagosur



Një avion ushtarak është rrëzuar gjatë ngritjes në Puerto Leguizamo, duke shkaktuar vdekjen e 66 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, ndërsa katër persona rezultojnë ende të zhdukur, përcjell Reuters.

Avioni transportues tip Lockheed Martin C-130 Hercules kishte në bord 128 persona, përfshirë 11 anëtarë të Forcave Ajrore, 115 ushtarë dhe 2 efektivë policie. Sipas autoriteteve, numri i viktimave është rritur ndjeshëm krahasuar me bilancin fillestar, ndërsa vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.

Ministri i Mbrojtjes, Pedro Sanchez, bëri të ditur se aksidenti ndodhi në momentin e ngritjes, ndërsa dyshohet se avioni pësoi një goditje në fund të pistës dhe më pas preku një pemë, çka çoi në rrëzimin e tij.

Sipas zjarrfikësve, përplasja shkaktoi zjarr dhe shpërthime në bord, duke e përkeqësuar situatën. Banorët e zonës ishin të parët që ndërhynë për të nxjerrë të mbijetuarit, ndërsa më pas në vendngjarje mbërritën forcat ushtarake dhe ekipet e emergjencës.

Nga të mbijetuarit, 57 persona janë dërguar në spital, ku rreth 30 prej tyre ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, reagoi pas ngjarjes duke kritikuar vonesat burokratike në modernizimin e ushtrisë dhe kërkoi hetim të plotë për shkaqet e aksidentit.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të tragjedisë.