Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbyllur protestën kombëtare të opozitës me një fjalim të fortë nga selia blu, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe duke sulmuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Berisha ka theksuar se protesta e sotme e ka tmeruar kryeministrin dhe ka shtuar se nuk do të ketë paqe në vend për ata që vjedhin pasuritë publike dhe shfrytëzojnë ligjet dhe mandatet për interesa kriminale.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se qeveria aktuale do të përfundojë “në Lanë dhe koshat e plehrave të historisë”.
“Një përshëndetje dhe mirënjohje të pa kufijshme me guximin, trimërinë dhe qëndresën tuaj, nderuat këtë datë, përmbysjen e diktaturës. I dhatë goditjen e merituar diktaturës së sotme, kjo ishte një betejë e shkëlqyer dhe ju garantoj se tjetra do të jetë edhe më e shkëlqyer dhe për Ramën nuk do të ketë më vrimë miu ku të futet. Kryengritja paqësore do t’i japë atij ndëshkimin që meriton. Nuk ka paqe me ata që vjedhin si hiena pasuritë e shqiptarëve.” – tha Berisha.
Protesta e PD-së ka vijuar gjatë ditës me marshime përpara institucioneve të ndryshme në Tiranë, duke përfshirë Kryeministrinë, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Infrastrukturës dhe selinë e Partisë Socialiste.
Gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë janë hedhur molotovë dhe fishekzjarrë, ndërsa uniformat blu kanë përdorur gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën.
Gjithashtu edhe Berisha përfundoi i lënduar nga spraji dhe uji i përdorur nga policia, si dhe plagosjen e dy efektivëve të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të cilët janë dërguar në Spitalin Ushtarak.
Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, ka kritikuar përdorimin e dhunës nga policia duke thënë: “S’ke turp, jeni ushtarë, merreni me deputetë e njerëz të thjeshtë, legena… Mos më prekni me dorë. Nuk mund të godisni. Është e pafalshme të dhunoni qytetarët.”
Protesta u mbyll me marshimin e demokratëve drejt Kuvendit dhe selisë së PD-së, ndërsa Berisha ka theksuar se kjo ishte vetëm një “betejë” dhe se aksionet opozitare do të vazhdojnë në të ardhmen.
