Vendosni fjalën kyçe....

PD: U përjashtuam pa arsye nga delegacioni në Bundestag


Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar për mungesën e përfaqësimit në delegacionin e Kuvendit gjatë vizitës në Gjermani, duke akuzuar drejtuesit e Kuvendit për përjashtim të njëanshëm.

Sipas PD-së, pas kërkesës së 4 marsit për të propozuar dy deputetë, ishin caktuar Tomorr Alizoti dhe Klevis Balliu, por më pas Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vendosi pa arsye t’i përjashtojë nga delegacioni zyrtar në Bundestag.

Në reagim, demokratët e cilësojnë vendimin si të paprecedentë dhe larg standardeve europiane, ndërsa akuzojnë maxhorancën për lidhje me krimin e organizuar dhe mbrojtje të korrupsionit, duke kritikuar edhe trajtimin e opozitës si “armik”.

“Në përgjigje të interesit të medias lidhur me mungesën e Grupit më të madh të opozitës në Kuvend, në delegacionin e Kryetarit të Kuvendit gjatë vizitës në Gjermani, Grupi Parlamentar i PD sqaron si më poshtë:

Në vijim të kërkesës së datës 4 Mars 2026 të vetë Kryetarit të Kuvendit për të caktuar dy deputetë të grupit tonë parlamentar në këtë delegacion, nga ana e kryetarit të grupit parlamentar u caktuan z. Tomorr Alizoti – Nënkryetar i grupit parlamentar dhe njëherazi Nënkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani; si dhe z. Klevis Balliu – Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe njëherazi anëtar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani.

Niko Peleshi, në një akt të paprecedentë për një Kryetar Kuvendi, por të përsëritur prej tij, ka vendosur më pas pa asnjë arsye të përjashtojë grupin më të madh të opozitës në Kuvend nga delegacioni zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë në Bundestag. Emrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike u hoqën qëllimisht për ta përjashtuar PD nga përfaqësimi institucional.

Fatkeqësisht, ky vendim tregon sa vite dritë larg standardeve demokratike të Bundestagut gjerman është sot drejtimi i mazhorancës parlamentare.

Trajtimi i opozitës si armik nuk e zhbën problemin kryesor të kësaj mazhorance: lidhjet me krimin e organizuar dhe mbrojtjen e korrupsionit përmes votës në Parlament. Dhe ndërkohë që flasin për anëtarësim në Europë, negociatat më të frytshme i bëjnë me skifterët e orëve të vjedhura nëpër Europë apo duke bashkëpunuar me organizatat më të rrezikshme kriminale në vend!

Ne nuk presim standarde europiane nga një Kryetar Kuvendi që nuk vendos dot vetë, por urdhërohet nga ushtarët politikë të Suel Çelës.

Po të mos ishte në kërkim ky i fundit, sot mund ta shihnim si pjesë të delegacionit njëpartiak në Bundestag”, thuhet në reagim.