
Partia Demokratike ka denoncuar një rast të dyshuar mbifaturimi të energjisë elektrike nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke akuzuar institucionin për abuzim me qytetarët.
Në një dalje për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, paraqiti rastin e një banori nga Fushë-Kruja, i cili, sipas saj, është përballur me rritje të pajustifikuar të faturave të energjisë.
Sipas deklaratës, qytetari Bledi Muça ka shlyer rregullisht detyrimet mujore, të cilat më herët varionin nga 3 mijë deri në 7 mijë lekë. Megjithatë, në mënyrë të papritur, ai ka nisur të faturohet me shuma dy deri në trefish më të larta se konsumi i zakonshëm.
Pas refuzimit për të paguar faturat e rritura dhe ankesave pranë institucioneve përkatëse, sipas Partisë Demokratike, situata është përkeqësuar, pasi janë vijuar faturimet dhe janë aplikuar kamatëvonesa. Si pasojë, fatura mujore ka arritur në 120 deri në 180 euro, ndërsa detyrimi total i pretenduar ka kaluar 3500 euro.
Partia Demokratike e cilëson këtë rast si një shembull të abuzimit dhe mungesës së përgjegjshmërisë nga ana e administratës, duke theksuar se barra financiare është e papërballueshme për një familje shqiptare.
Në fund të deklaratës, opozita i bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar, duke e lidhur çështjen me situatën ekonomike dhe, sipas saj, me keqmenaxhimin e institucioneve nga qeveria.