Vendosni fjalën kyçe....

Transporti i mallrave pa dokumente në letër, qeveria prezanton projektligjin e ri



Qeveria shqiptare ka përgatitur një projektligj të ri që synon digjitalizimin e dokumentacionit në transportin e mallrave. Nisma, e titulluar “Për informacionin elektronik të transportit të mallrave” (eFTI), parashikon që dokumentet që shoqërojnë transportin të kalojnë nga formatet fizike në format elektronik.

Projektligji është propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe parashikohet të zbatohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai synon gjithashtu përafrimin me rregulloren e Bashkimit Evropian për informacionin elektronik të transportit të mallrave (2020/1056).

Sipas projektligjit, institucionet shtetërore – si Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Policia e Shtetit – do të duhet të pranojnë dokumentacionin e transportit në format elektronik.

Të dhënat për ngarkesën do të regjistrohen në platforma të posaçme eFTI, ku operatorët ekonomikë do të ngarkojnë informacionin për mallrat që transportohen. Gjatë kontrolleve në rrugë apo në pikat kufitare, autoritetet do të kenë mundësi të verifikojnë të dhënat drejtpërdrejt përmes sistemit, pa kërkuar dokumente fizike.

Autoritetet thonë se sistemi mund të rrisë transparencën dhe të lehtësojë kontrollet, pasi çdo veprim në platformë regjistrohet dhe mund të verifikohet më vonë. Po ashtu, digjitalizimi pritet të ulë kostot administrative për bizneset dhe të reduktojë kohën e pritjes në pikat kufitare.

Sektori i transportit dhe logjistikës në Shqipëri dominohet kryesisht nga ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të cilat mund të përfitojnë nga thjeshtimi i procedurave dhe eliminimi i dokumentacionit në letër.

Zbatimi i sistemit kërkon ndërtimin e një infrastrukture teknologjike dhe bashkëpunim mes disa institucioneve, si Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Projektligji parashikon gjithashtu masa për mbrojtjen e të dhënave tregtare dhe për certifikimin e platformave që do të ofrojnë shërbimin. Këto platforma do t’i nënshtrohen vlerësimit dhe miratimit nga autoritetet përkatëse.

Nëse projektligji miratohet, institucionet do të duhet të përgatisin aktet nënligjore dhe infrastrukturën teknike brenda gjashtë muajve, për të mundësuar zbatimin e sistemit në praktikë.