
Ministri i Jashtëm i Kenias, Musalia Mudavadi, udhëtoi të dielën drejt Moskës për të kërkuar nga autoritetet ruse ndërprerjen e rekrutimit të shtetasve kenianë në ushtrinë ruse për luftën në Ukrainë, përcjell DW.
Sipas shërbimeve të inteligjencës keniane, më shumë se 1,000 shtetas janë tërhequr në Rusi me premtimin e punëve civile të paguara mirë, por më pas janë dërguar në front si ushtarë, me trajnim minimal. Mediat raportojnë se rekrutimi është bërë nga agjenci të pavarura që gënjejnë qytetarët për qëllimet reale.
Ministria e Jashtme e Kenias njoftoi se Mudavadi do të kërkojë një “proces të sigurt për rikthimin e këtyre shtetasve” nga Rusia. Qeveria keniane ka theksuar se politika e saj është mbrojtja e shtetasve jashtë vendit, duke siguruar kushte pune dhe jetë dinjitoze.
Zëvendësi i Mudavadit ka akuzuar Rusinë se po përdor kenianët si “municion për topa”, ndërsa ambasada ruse në Nairobi ka mohuar çdo përfshirje dhe i ka cilësuar akuzat si “të rrezikshme dhe mashtruese”.
Mediet lokale raportojnë se të paktën 18 kenianë kanë humbur jetën në luftë, ndërsa 30 të tjerë janë të zhdukur. Ministri Mudavadi synon gjithashtu të lehtësojë aksesin e shtetasve kenianë në tregun civil rus.
Gjatë vizitës, ai do të takohet me disa anëtarë të qeverisë ruse, përfshirë ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, por nuk pritet të ketë takim me presidentin Vladimir Putin. Ai gjithashtu do të mbajë një leksion publik në Moscow State Institute of International Relations (MGIMO).
Më parë, Afrika e Jugut arriti të rikthente 15 shtetas të saj që thanë se ishin bllokuar në rajonin lindor të Donbasit, pasi ishin tërhequr në mënyrë mashtruese për të luftuar për Rusinë.
Raportimet e mediave dhe burime nga Kievi flasin për 18,000–24,000 shtetas të huaj të rekrutuar nga Rusia për operacionin e saj të quajtur “special ushtarak” në Ukrainë. Shumë prej tyre bashkohen vullnetarisht, por një pjesë e konsiderueshme nga Afrika, Azia Jugore dhe Lindja e Mesme janë tërhequr përmes rrjeteve mashtruese dhe pastaj janë detyruar të nënshkruajnë kontrata ushtarake.
Që nga fundi i vitit 2024, rreth 10,000 trupa koreano-veriore po luftojnë pranë forcave ruse nën komandën e Moskës, shpesh duke mbajtur uniforma ruse me identitete të fshehura, një praktikë që ka nxitur kritika ndërkombëtare.