
Sipas deputetit demokrat Klevis Balliu, ministrja e Jashtme Spiropali u shkarkua nga kryeministri Rama pasi nuk po i mbronte më aferat e këtij të fundit.
Ai tha se gjithë qeveria socialiste u ngrit për të mbrojtur sistemin e vjedhjes që është ngritur dhe jo thjesht për të mbrojtur Ballukun.
“Spiropali u hoq sepse nuk po mbronte më aferat e tij, kjo mund të thuhet edhe për Fatmir Xhafën.
Ngrihet një qeveri e tërë që merret me hallin e Ballukun sepse duhet mbrojtur sistemi i vjedhjes, jo sepse kanë hallin e Ballukut. Nuk merren me hallet e qytetarëve. Unë nëse duhet shkoj e dorëzoj vetë imunitetin, nuk ka nevoja të mblidhen institucionet fare”, tha ai.
Balliu shtoi më tej se nëse opozita bashkohet, Rama bie nga qeveria ndërsa theksoi se largimi i qeverisë socialiste është çështje kombëtare.
“Po të bashkohemi të gjithë Rama ikën nesër. Ne kemi vështirësi të kuptojmë që është një çështje kombëtare, jo e Berishës apo e Klevis Balliun. Derisa të kuptojmë këtë Rama do të jetë aty ku është.
Qytetarët na kanë mbështetur në kohë të vështira si aksion opozitar, por fakti që ai nuk ka rënë është tregues që duhet të bëjmë më shumë, kjo është e vetmja mënyrë për ta larguar. Unë jam për një përballje frontale me ta, t’i ndjekim edhe kur shkojnë në Kuvend e Parlament, deputetët duhet të japin përgjigje”, tha ai.