
Një ditë pasi PS refuzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, kryeministri i vendit Edi Rama në një konfercë për mediat nga kryeministria u shpreh see vendimit të djeshëm ju dha një jehonë e deformuar, ndërkohë që theksoi se s’ka asnjë frenim në rrugën drejt BE.
“Kërkesa e SPAK nuk i përmbushte kushtet për u marrë në konsideratë, ndërkohë që përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër apo ti dhënë refuzimit përmasën e një fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë në BE apo do pengojë zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi apo do pengojë aktivitetin e pavarur të drejtësisë, është përpjekje e shëmtuar, madje në dëshpërimin e vet ka të gjithë ato ingredientë që ka në të përditshmen tonë përpjekja për të bërë çmos që Shqipëria të pengohet dhe që hapat e shpejtë me të cilat ne po ecim në procesin e negociatave të frenohen”, tha Rama.
Rama tha se inkurajon SPAK për të hetuar Belinda Ballukun deri në gjetjen e një prove që e implikon atë me korrupsionin.
“Dua ti siguroj të gjithë nuk ka asnjë frenim në rrugën tonë të pandalshme drejt anëtarësimit në BE. Nuk ka asnjë diskutim lidhur me vullnetin tonë për të vazhduar në rrugën që ne kemi hapur në pavarësinë e drejtësisë dhe në luftën reale kundër korrupsionit, ashtu siç nuk ka asnjë dyshim që në këtë rast nuk jemi përballë një çështjeje korrupsioni. Vetëm prokuroria nuk ka ngritur një akuzë për korrupsion, jemi përballë një çështje në hetim e cila mund të hetohet lirisht pa më të voglën pengesë.
Unë e inkurajoj prokurorinë të ndjekë dhe të hetojë të gjitha pistat ku mund të mendohet se mund të shfaqet gjatë rrugës ferra e korrupsionit”, tha Rama.