Vendosni fjalën kyçe....

Katër kandidatë në garë për të drejtuar Autoritetin e Konkurrencës


Komisioni Kuvendor për Financat, Ekonominë dhe Punësimin zhvilloi këtë javë seancën dëgjimore me katër kandidatët që kanë aplikuar për pozicionin e anëtarit të Komisionit të Konkurrencës, që pritet të marrë njëkohësisht edhe detyrën e Kryetarit.

Kandidatët kanë aplikuar për këtë pozicion janë kryetari aktual i Komisionit të Konkurrencës, Denar Biba, si edhe Pajtim Melani, Elidian Balla dhe Evis Noçka.

Në prezantimin e kandidaturës së tij para Komisionit, kryetari aktual, Denar Biba, vendosi theksin te puna e bërë për forcimin e institucionit dhe kërkoi mbështetjen për vazhdimësinë e konsolidimit të mëtejshëm të tij.

Në vizionin e tij për të ardhmen, ai përmendi si objektiva kryesorë mbylljen e kapitullit VIII e procesit të integrimit në periudhën 2026-2027, transformimin e institucionit nga polic i tregut në partner të ekonomisë kombëtare dhe zhvillimit dhe projektimin e instrumenteve ligjorë analitikë dhe specifikë të ekonomisë dixhitale.

Kandidati Pajtim Melani mes viteve 2006-2017, ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Mbikëqyrjes së Tregjeve në Autoritetin e Konkurrencës. Në vizionin e tij për punën e institucionit, ai vendosi theksin te forcimi i llogaridhënies të institucionit dhe te kalimi nga një politikë reaktive në një politike proaktive, e kuptuar si forcimi i iniciativës së Autoritetit të Konkurrencës për të adresuar problematikat e tregjeve.

Ai kritikoi disa aspekte të punës së Autoritetit të Konkurrencës në vitet e fundit, si moszbatimi i detyrave të Kuvendit, mosmarrja e përgjegjësisë së vet ligjore në tregje si prokurimet publike apo tregjet ku veprojnë rregullatorë sektorialë, duke i përcjellë te këta rregullatorë problematikat e konkurrencës.

Pedagogu Elidian Balla vendosi theksin te nevoja për qasje proaktive, nëpërmjet analizave dhe monitorimeve të vazhdueshme për tregjet strategjike. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e forcimit të dimensionit analitik në vendimmarrje dhe forcimin e ndërgjegjësimit të publikut mbi rregullat e konkurrencës.

Evis Noçka këshilltare pranë sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar të Integrimit theksoi rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit publik për rolin e Autoritetit të Konkurrencës.

Shpallja e vendit vakant në Komisionin e Konkurrencës u bë në fund të muajit janar, në prag të përfundimit të mandatit të anëtarit dhe kryetarit aktual, Denar Biba.

Kriteret kryesore për kandidatët në proces është që të jenë shtetas shqiptarë, të kenë vjetërsi pune në profesion jo më pak se 15 vjet dhe të jenë, prej jo më pak se 5 vjetësh, pjesëtarë të trupit akademik universitar ose të mbajnë titullin apo gradë shkencore në fushën e ekonomisë ose të drejtësisë, në specialitetin “E drejtë civile/ administrative”, si edhe të mos jenë larguar nga puna ose nga shërbimi civil me masë disiplinore.

Sipas ligjit, anëtarët e Komisionit të Konkurrencës zgjidhen nga Kuvendi. Një anëtar propozohet nga Presidenti i Republikës, dy anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe dy anëtarë propozohen nga Kuvendi.

Ligji parashikon që anëtarët e Komisionit zgjidhen me shumicë votash, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për një periudhë 5-vjeçare. Kuvendi emëron edhe Kryetarin e Komisionit./Monitor