
Central Intelligence Agency (CIA) ka nisur një fushatë të re në rrjetet sociale, duke publikuar udhëzime në gjuhën perse për qytetarët iranianë që synojnë të kontaktojnë në mënyrë të sigurt me shërbimin amerikan të inteligjencës.
Kjo iniciativë për rekrutim vjen në një moment kur SHBA-ja ka përqendruar një numër të konsiderueshëm forcash ushtarake në Lindjen e Mesme. Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se mund të autorizojë sulme kundër Iranit nëse negociatat e planifikuara me Uashingtonin nuk prodhojnë një marrëveshje për programin bërthamor të Teheranit.
Në fjalimin e tij mbi Gjendjen e Kombit të mbajtur të martën, Trump argumentoi se nuk do të lejojë Republikën Islamike – të cilën e cilësoi si sponsorin më të madh global të terrorizmit – të sigurojë një armë bërthamore. Autoritetet iraniane e mohojnë se synojnë të zhvillojnë një arsenal të tillë.
Mesazhi i CIA-s në gjuhën perse u publikua të martën në platformat X, Instagram, Facebook, Telegram dhe YouTube. Ky është një ndër disa njoftime të fundit të agjencisë që synojnë të tërheqin burime informacioni në vende si Irani, Kina, Koreja e Veriut dhe Rusia.
Agjencia u rekomandoi personave të interesuar të marrin masa paraprake sigurie përpara se të vendosin kontakt, duke shmangur përdorimin e pajisjeve të punës apo telefonave personalë. Në udhëzime theksohej përdorimi i një pajisjeje të re, të dedikuar vetëm për këtë qëllim, si dhe kujdesi ndaj ambientit përreth për të shmangur vëzhgimin e ekranit ose aktivitetit online.
Sipas mesazhit, individët duhet të japin informacione si vendndodhja, emri, pozicioni i punës dhe çdo akses në të dhëna apo aftësi që mund të jenë me interes për agjencinë. Po ashtu, rekomandohej përdorimi i një Rrjeti Privat Virtual (VPN) të besueshëm, me kusht që ofruesi të mos ketë seli në Rusi, Iran apo Kinë, ose përdorimi i rrjetit Tor, i cili enkripton komunikimet dhe fsheh adresën IP të përdoruesit.
CIA nuk dha koment shtesë mbi këtë nismë, ndërsa delegacioni iranian në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për reagim, shkruan Reuters.
Ndërkohë, të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet të zhvillojnë një takim në Gjenevë me zyrtarë iranianë të kryesuar nga ministri i Jashtëm Abbas Araqchi, në kuadër të një raundi të ri negociatash për programin bërthamor.
Trump ka paralajmëruar se, në rast se këto bisedime dështojnë ose nëse Teherani vazhdon ekzekutimet e personave të arrestuar gjatë protestave antiqeveritare të janarit, SHBA-ja mund të ndërmarrë veprime ushtarake.
Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, mijëra persona u vranë gjatë shtypjes së atyre protestave – trazirat më të mëdha të brendshme në Iran që nga periudha e Revolucioni Islamik të vitit 1979.