
Vetëm disa ditë pas rrëzimit me 74 vota kundër të projektligjit të dorëzuar nga opozita për “Statusin e Minatorit”, minatorët u mblodhën për të protestuar para Kryeministrisë.
Sindikatat e minatorëve, të zhgënjyer nga vendimi i Kuvendit, rikujtuan premtimet e qeverisë që vijojnë të mbeten të pazbatuara dhe statusin e parashikuar ligjor që ende nuk është bërë realitet. Ata dorëzuan edhe një shkresë zyrtare në Kryeministri dhe paralajmëruan se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre për të drejtat dhe përfitimet e punës së tyre.
Vjeshta e vitit të kaluar shënoi një valë protestash të minatorëve, veçanërisht të atyre në minierën e Spaçit, por edhe në qytete të tjera. Në tetor 2024, Partia Demokratike depozitoi në Kuvend një draftligj për Statusin e Minatorit, që parashikonte:
- Pagën e minatorëve të paktën dyfish të pagës minimale;
- Të drejtën për pension të parakohshëm pas 25 viteve pune në minierë;
- Për rastet e humbjes së jetës në aksident, familjarët të përfitonin 50% të pagës mujore dhe bursa shkollimi për fëmijët;
- Trajtim mjekësor falas, dëmshpërblim për aksidentet në punë dhe mbulim të kostove për rikuperimin e dëmeve fizike.
Megjithatë, mazhoranca e rrëzoi projektligjin, duke argumentuar se ndryshimet nuk sillnin përfitime të konsiderueshme për minatorët krahasuar me ligjin aktual dhe se barra financiare për buxhetin e shtetit do të ishte shumë e madhe.