
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka denoncuar projektin TID në Durrës, duke e cilësuar si një mekanizëm që, sipas tij, grabit pronat e qytetarëve.
Në një reagim në rrjetet sociale, Meta iu referua fjalës së mbajtur në foltoren e opozitës para Kryeministrisë nga ish-kampioni i atletikës, Adriatik Hoxha, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së interesit publik dhe të ardhmes së qytetit bregdetar.
“Sot, Durrësi nuk është thjesht një qytet që përmbytet nga korrupsioni, por një qytet që po grabitet dhe po plaçkitet hapur e pa mëshirë nga banditët e ‘Rilindjes’. Një qytet ku pronat e qytetarëve rrëmbehen dhe vidhen përmes projekteve grabitqare si TID, ndërsa Edi Rama ua ka lënë pushtetin bandave dhe karteleve të drogës, që po i marrin frymën dhe po e shkatërrojnë Durrësin”, thekson Meta.
Ai shton se më 28 shkurt, në protestën kombëtare në Tiranë, Durrësi do të jetë në ballë “për dinjitetin, për pronën, për qytetin dhe për të ardhmen”.