Vendosni fjalën kyçe....

Këshilli i Imunitetit mblidhet sot për çështjen e Belinda Ballukut


Sot, në orën 10:00, do të mblidhet Këshilli i Imunitetit për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ndonëse më herët kryeministri Edi Rama ishte shprehur se nuk kishte urgjencë për shqyrtimin e kërkesës së SPAK, pasi Balluku ishte tashmë e pezulluar, mazhoranca ka ndryshuar qëndrim dhe ka vendosur ta trajtojë çështjen.

Fillimisht socialistët kishin deklaruar se do të prisnin zbardhjen dhe botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të Gjykata Kushtetuese, e cila ka bërë me dije se po punon për ta publikuar vendimin brenda afatit 30-ditor. Meqenëse kjo javë është “javë e gjelbër”, raporti pritet të votohet në seancën plenare të 5 marsit.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS më 16 shkurt, Rama deklaroi se parlamenti do të shprehet fillimisht për imunitetin dhe më pas për ndryshimet ligjore.

Sipas ndryshimeve të propozuara në Kodin e Procedurës Penale, për disa funksionarë të lartë, përfshirë zv/kryeministrin dhe ministrat, gjykata nuk mund të vendosë vetëm masën e pezullimit nga detyra pa miratimin e Kuvendit.

Për masa si detyrim paraqitje apo heqje pasaporte, SPAK nuk ka nevojë për autorizim parlamentar, ndërsa për arrest kërkohet gjithmonë miratimi i Kuvendit.

Ndryshimet ligjore nuk ndikojnë në rastin e Ballukut, pasi nuk kanë fuqi prapavepruese. Vendimi i saj për pezullim nga detyra mbetet në fuqi pas ndarjes 4-4 të Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi vendimin e GJKKO.