
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë thirrje zëvendëskryeministres Belinda Balluku që të mos largohet nga vendi, duke paralajmëruar se, sipas tij, nuk do t’i shpëtojë drejtësisë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e akuzoi Ballukun për shkelje të ligjit dhe vjedhje, ndërsa shtoi se çdo veprim, sipas tij, është kryer me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Ai u shpreh se shtyrja me tre muaj e mbledhjes së Këshillit të Mandateve i ka dhënë mundësi zëvendëskryeministres të shkatërrojë dokumente dhe të intimidojë dëshmitarë.
“Lubi Balluku ka shkelur ligjin dhe ka vjedhur. Por gjithçka ka bërë e ka bërë me urdhër të Ramës dhe si aksionere në minorancë me të. Gjithçka është bërë për lëkurën e tij dhe familjen e tij. Sot në Kuvend po zhvillohet seanca e shtyrë 3 muaj, shtyrje që i dha Lubisë mundësinë të shkatërrojë mijëra dokumente, të intimidojë dëshmitarët, të kërcënojë me dhjetëra dëshmitarë. Ajo aty nuk është. Komshija thotë prej 4 ditësh nuk e kam parë të hyjë në shtëpi. Tjetër nuk mund të them. Një gjë i them, edhe pas dellit të shkosh, do të të gjejmë e do të të sjellim në vend. Mos tento të dalësh nga Shqipëria”, tha ai.