Vendosni fjalën kyçe....

Bilanc i rëndë në Tiranë, një vrasje, dy vetëvrasje e dy plagosje brenda 12 orësh


Një vrasje, dy vetëvrasje e dy plagosje kanë ndodhur ditën e sotme në Tiranë, në një bilanc tejet të rëndë brenda ditës së sotme.

Mëngjesin e sotëm, një 42-vjeçar u vetëhodh nga një urë në Unazën e Madhe duke gjetur vdekje në vendin e ngjarjes.

Pasdite, 31-vjeçari Egli Pashollari u qëllua me thikë pas një sherri në rrugën “Kongresi i Lushnjës”. Ai u sulmua nga dy djem dhe një vajzë sapo kishte dalë nga makina, me njërin nga djemtë që e qëlloi me thikë në kurriz. Fillimisht ai mori ndihmën e parë pranë një lokali dhe më pas u dërgua me makinë drejt spitalit të Traumës por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.

Një tjetër vetëvrasje e dyshuar u shënua në mbrëmje në Tiranë. Një 27-vjeçar u dërgua në spital me plagë arme zjarri por nuk mundi të mbijetojë. Dyshohet se i riu me iniciale A.M. është vetëqëlluar në banesën e tij në zonën “Rruga Ura”.

“Rreth orës 19:55, shtetasi me iniciale A. M., rreth 27 vjeç, është dërguar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore. I riu kishte marrë plagë të rënda, të cilat dyshohet se i ka shkaktuar vetë me armë zjarri në banesën e tij, e ndodhur në zonën e njohur si “Rruga Ura”.”

Ndërkohë dy plagosjet, njëra me armë zjarri dhe një tjetër me thikë rënduan edhe më shumë bilancin e asaj që ndodhi në Tiranë ditën e sotme. Një 34-vjeçar u qëllua me armë brenda një restoranti në zonën e ish-Parkut, pranë kompleksit Delijorgji. I plagosuri është identifikuar si Akil Koxhaxhiku ndërsa autori i dyshuar i plagosjes është Besjan Ferazini.

Në Kombinat, një 27-vjeçar me iniciale H.I. është dërguar në spital me plagë të shkaktuar me thikë ndërsa dinamika dhe autori i ngjarjes nuk dihet ende.

“Rreth orës 20:10, është dërguar për mjekim në spital, shtetasi H. I, rreth 27 vjeç, i cili dyshohet se është dëmtuar me mjet prerës në Kombinat. Aktualisht, ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Punohet për identifikimin e kapjen e autorit.”