
Në debatet në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën për regres në procesin e integrimit evropian, duke iu referuar raportit paraprak të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian.
Bardhi iu drejtua ministres së Jashtme Elisa Spiropali, duke e pyetur nëse do t’i hiqet imuniteti zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila sipas tij është akuzuar nga SPAK.
“Mbroje Ballukun se të merr me vete. Nuk është sajesë as e opozitës, as e mediave ndërkombëtare korrupsioni i qeverisë suaj.
S’është sajesë që raporti i dorëzuar në Komisionin e Jashtëm të PE thotë të kundërtën dhe është i përgatitur nga partia simotër juaja në Parlamentin Europian.
Thotë që ka probleme madhore me korrupsionin, ndërhyrjen e qeverisë në pushtetin gjyqësor, moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha këto probleme tregojnë regres.
Ballukun nuk e kemi akuzuar ne, e ka akuzuar ylli i Reformës në Drejtësi, SPAKU-u. Do ia hiqni imunitetin Ballukut apo do të ktheheni në bunker?”, tha Bardhi.
Spiropali mohoi mbrojtjen ndaj Ballukut, ndërsa Bardhi këmbënguli se retorika e progresit të qeverisë nuk përputhet me veprimet e mazhorancës dhe akuzoi se Kuvendi po përdoret si “mburojë” për SPAK-un.
“Integrimi europian nuk realizohet dot me ato që kryeministri i ka lënë në mbledhjen e grupit parlamentar, ku keni qenë dhe ju, shprehimisht ka thënë: ‘ju të gjithë do të jeni lëkurë këpuce për SPAK-un’. Ata që shndërrojnë Kuvendin në këpucë lëkure për SPAK-un, e çojnë vendin mbrapa. Me rastin Balluku po pengoni procesin e integrimit”, tha Bardhi.