
Pas rezultateve të dobëta në testimet ndërkombëtare të PISA-s dhe TIMSS-it, Ministria e Arsimit do ndërhyjë thellë në kurrikulat e arsimit parauniversitar.
Ministrja Kumbaro tha gjatë prezantimit në Komisionin e Edukimit se ndërhyrja është domosdoshmëri.
“Kurrikula kishte nevojë për ndërhyrje që të reflektonte nevojat e reja të tregut të punës, të shoqërisë së dijes dhe të qytetarisë globale. Gjithashtu rishikimi dhe përditësimi i saj u ndërmor edhe mbi bazën e vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare siç janë PISA, TIMSS apo PIRLS, analizave të brendshme dhe përvojave të vendeve europiane, me synim ndërtimin e një kurrikule moderne dhe të krahasueshme ndërkombëtarisht”, tha ajo.
Katër tekste do jenë plotësisht të reja, “Qytetaria” për Klasën e Parë, të 6 dhe të 10, si edhe Gjuha për klasën e dhjetë. Paralelisht, do përditësohen deri në masën 20% 171 tekste për klasat 1, 6 dhe 10, nga të cilat 140 janë tekste fizike dhe 31 digjitale.
“Për klasat 1, 6, 10 përditësimi i programeve lëndore ka ndodhur në vitin 2025, përditësimi i teksteve po ndodh aktualisht dhe zbatimi i kurrikulës së re do të nisë në shtator të vitit 2026. E njëjta logjikë dhe proces do të ndiqet për klasat 2, 7, 11, me kurrikulën e re që do të zbatohet në shtator 2027 për klasat 3, 8, 12 në shtator të vitit 2028. Dhe për t’u përmbyllur me klasat 4, 5, 9 me zbatimin e kurrikulës së re duke filluar nga shtatori 2029. Përgatitja e listës së teksteve shkollore për përditësim, sipas klasave dhe lëndëve, bazuar në katalogun zyrtar të teksteve shkollore për klasat 1, 6 dhe 10 përfshin 171 tekste shkollore: 140 tekste fizike dhe 31 tekste digjitale”, tha Kumbaro.