
Izraeli ka kryer sulme ajrore në të gjithë Rripin e Gazës të dielën, duke vrarë të paktën 11 palestinezë, thanë zyrtarët palestinezë, në atë që ushtria e quajti një përgjigje ndaj shkeljeve të armëpushimit nga grupi militant palestinez Hamas.
Mjekët në Gaza thanë se një sulm ajror izraelit në një kamp me tenda që strehonte familje të zhvendosura vrau të paktën katër persona, ndërsa zyrtarët e shëndetësisë thanë se një tjetër sulm vrau pesë persona në Khan Younis në jug dhe një person tjetër u qëllua për vdekje në veri.
Sulmet ajrore shënjestruan gjithashtu atë që mendohej të ishte një komandant i grupit Xhihad Islamik, një aleat i Hamasit, në lagjen Tel Al-Hawa në qytetin e Gazës.
Hazem Qassem, zëdhënësi i Hamasit në Gaza, akuzoi Izraelin për kryerjen e një “masakre” të re kundër palestinezëve të zhvendosur, duke e quajtur atë një shkelje serioze të armëpushimit disa ditë para takimit të parë të Bordit të Paqes të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, shkruan Reuters.
Një zyrtar ushtarak izraelit i quajti sulmet e së dielës “të sakta” dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar, dhe tha se grupi militant palestinez kishte shkelur vazhdimisht një armëpushim të tetorit.
Izraeli dhe Hamasi kanë shkëmbyer vazhdimisht faje për shkeljet e marrëveshjes së armëpushimit, një element kyç i planit të Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza , më vdekjeprurësja dhe më shkatërruesja në konfliktin izraelito-palestinez që ka zgjatur disa breza.