
Kryedemokrati Berisha tha sot se protesta e opozitës do dëgjohet deri në Bruksel.
Ai tha se nesër gjithë Shqipëria do jetë në Tiranë për të protestuar kundër narkoqeverisë së Edi Ramës.
“Ndaj dhe unë jam këtu për t’u zotuar para jush, para shqiptarëve se asgjë në botë nuk do mund të pengojë qytetarët e këtij vendi pa hedhur në Lanë qeverinë e krimit, qeverinë e drogës, qeverinë e hajdutëve, qeverinë anti-shqiptare, qeverinë anti-europiane. Miq, nesër është një ditë e madhe. Është një ditë e shqiptarëve për Europën. Është një ditë e shqiptarëve për të ardhmen e tyre. Është një ditë e shqiptarëve për prosperitetin e tyre, për begatinë e tyre, për lirinë e tyre. Në qoftë se, ne shpallim solemnisht para shqiptarëve se për opozitën, integrimi në BE është e ardhmja më e shkëlqyer, sepse ne besojmë se integrimi do të thotë qytetarë më të lirë, qytetarë më të mëkëmbur, qytetarë më të sigurt, Shqipëri më e zhvilluar. Asgjë nuk na ndan ne nga kjo rrugë. Ndaj dhe nesër ftoj qytetarët e Tiranës, këtij qyteti të bekuar, të dalin të gjithë në shesh. Ftoj shqiptarët të bashkohen, të ngremë zërin tonë, zëri ynë të dëgjohet në Bruksel dhe në mbarë botën se asgjë nuk na shkëput nga qëllimi ynë.” – tha Berisha.
Ai shtoi se Ramës i është komunikuar mesazhi nga Brukseli se nëse pengon drejtësinë, rruga e vendit drejt BE-së mbyllet.
Berisha shtoi se kryeministri ka vendosur të mbrojë vjedhjet e veta dhe të zv.kryeministres Balluku duke penguar vendin nga integrimi.
“Miq, në Bruksel, Edi Ramës do i transmetohej një mesazh: Mos pengo drejtësinë se ne të mbyllim derën. Sot në mëngjes Edi Rama u përgjigj: më mbyllni derën se lëkurën time nuk e shes kurrë, se Lubinë nuk e dorëzoj, se po të dorëzoj Lubinë, duhet të dorëzoj veten time. Pra, sonte çdo shqiptar ndodhet para këtij kërcënimi të tmerrshëm, madhor. Edi Rama me vendimin e sotëm u tha shqiptarëve se integrimin e japim, por korrupsionin nuk e dorëzojmë. Por veten tonë, lëkurën tonë nuk e dorëzojmë. Në këtë kuadër, protestat tashmë janë jetike dhe vendimtare për të shpëtuar atë ëndrrën që nuk ishte vetëm e jona, nuk është vetëm e jona, nuk ishte vetëm e studentëve të viteve ’90, por atë ëndërr që ishte e formësuar nga Rilindja jonë, të cilët për Shqipërinë parajsë, konsideronin ta shihnin zonjë mdis kombeve të tjera evropiane. Ndaj dhe nesër është beteja për integrimin e Shqipërisë në BE, për dyert e hapura të Shqipërisë. Nesër, mesazhi ynë është një dhe vetëm një, mos guxo të luash me fatin e shqiptarëve, se fatin e Enver Hoxhës do kesh edhe ti për së gjalli.” – shtoi Berisha.