
Banorët e fshatit Luz, në Fushë-Krujë, kanë dalë për herë të tretë në protestë për gjendjen e rënduar të rrugës kryesore të fshatit, e cila prej kohësh ndodhet në kushte të amortizuara dhe të rrezikshme për qarkullimin.
Në protestën e zhvilluar mëngjesin e sotëm iu bashkuan edhe nxënësit e shkollës “Gjon Luka”, të cilët shprehen se çdo ditë shkojnë në shkollë të mbuluar me baltë dhe pluhur, ndërsa theksojnë se ndihen të pasigurt për shkak të kamionëve të rëndë që, për të shmangur gropat e mëdha, shpesh hipin mbi trotuare.
Sipas banorëve, pasditen e djeshme në rrugë është hedhur vetëm një kamion me çakull për të mbuluar disa gropa, por kjo ndërhyrje është konsideruar thjesht e përkohshme dhe pa zgjidhje reale. Deri më tani, ata thonë se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me rikonstruksionin e plotë të rrugës.
Rruga në fjalë konsiderohet një arterie e rëndësishme për ekonominë e zonës dhe të vendit, pasi çdo ditë përmes saj qarkullojnë mbi 1 mijë kamionë, që transportojnë çimento, gëlqere, inerte dhe materiale të tjera ndërtimi, si për tregun vendas ashtu edhe për eksport.
Gjatë protestës së sotme, banorët e mbajtën rrugën të bllokuar për më shumë se një orë. Ata paralajmërojnë se protestat do të vijojnë dhe do të përshkallëzohen nëse nuk ndërhyhet seriozisht dhe në mënyrë të qëndrueshme për rikonstruksionin e saj.