
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 02:45, qyteti i Vlorës u përball me një rritje të pazakontë të nivelit të detit, fenomen që sipas peshkatarëve vendas nuk është vërejtur më parë në këtë formë dhe intensitet.
Uji ka depërtuar në disa zona pranë qendrës së peshkimit, ndërsa varkat e ankoruara janë tendosur fort nga litarët për shkak të ngritjes së menjëhershme të nivelit.
Në disa raste, uji ka vërshuar edhe në magazinat pranë portit të peshkimit, duke krijuar shqetësime për mjetet dhe pajisjet e punës.
Peshkatarët raportojnë se rritja ka qenë më e madhe se baticat e zakonshme dhe paralajmërojnë se nëse situata vazhdon, ekziston rreziku që uji të dalë në rrugë dhe të shkaktojë dëme të mëtejshme.
Gjithashtu, është vënë re një fenomen i pazakontë: disa peshq kanë dalë në tokë, një shenjë që sipas peshkatarëve ndodh zakonisht gjatë detit të trazuar ose ndryshimeve të forta të nivelit të ujit.
Autoritetet lokale ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar për këtë ngjarje, ndërsa komuniteti i peshkatarëve mbetet në gatishmëri për çdo zhvillim të mëtejshëm.