
Udhëheqësi suprem i Iranit paralajmëroi të dielën se çdo sulm nga Shtetet e Bashkuara do të shkaktonte një “luftë rajonale” në Lindjen e Mesme, duke rritur më tej tensionet në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me goditje ushtarake ndaj Republikës Islamike për shkak të shtypjes së protestave mbarëkombëtare, përcjell AP News.
Deklaratat e Ajatollah Ali Khamenei, 86 vjeç, përbëjnë kërcënimin më të drejtpërdrejtë deri më tani, teksa aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln dhe anije të tjera luftarake ndodhen në Detin Arabik, të dërguara atje me urdhër të Trump pas përshkallëzimit të dhunës në Iran.
Ende mbetet e paqartë nëse Trump do të përdorë forcën ushtarake. Ai ka deklaruar vazhdimisht se Irani dëshiron të negociojë dhe ka përmendur programin bërthamor të Teheranit si një tjetër çështje që kërkon zgjidhje.
Ndërkohë, Khamenei i ka cilësuar protestat mbarëkombëtare si një “grusht shteti”, duke ashpërsuar qëndrimin e qeverisë, ndërsa dhjetëra mijëra persona raportohet se janë arrestuar që nga nisja e demonstratave. Akuzat për rebelim në Iran mund të dënohen me vdekje, çka ka rindezur shqetësimet për ekzekutime masive, një vijë e kuqe kjo për presidentin Trump.
Irani kishte planifikuar gjithashtu stërvitje ushtarake me municion të vërtetë të dielën dhe të hënën në Ngushticën strategjike të Hormuzit, korridor kyç përmes të cilit kalon rreth një e pesta e naftës së tregtuar në botë. Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane kishte paralajmëruar kundër çdo kërcënimi ndaj anijeve apo avionëve amerikanë dhe çdo pengese për trafikun tregtar.
Paralajmërimi i Khameneit
Khamenei foli para një turme në kompleksin e tij në Teheran, gjatë nisjes së ceremonive për përvjetorin e Revolucionit Islamik të vitit 1979. Ai akuzoi SHBA-në se synon të përvetësojë burimet natyrore të Iranit, përfshirë naftën dhe gazin.
“Amerikanët duhet ta dinë se nëse nisin një luftë këtë herë, ajo do të jetë një luftë rajonale,” tha ai.
Ai shtoi se Irani nuk ka synime agresive, por paralajmëroi se çdo sulm do të marrë përgjigje të ashpër:
“Ne nuk jemi nxitës të luftës dhe nuk planifikojmë të sulmojmë asnjë vend. Por nëse dikush tregon lakmi dhe kërkon të na sulmojë apo ngacmojë, kombi iranian do t’i japë një goditje të rëndë.”
Khamenei gjithashtu u rikthye te protestat, të cilat filluan më 28 dhjetor pas rënies së monedhës kombëtare, rialit, dhe u shndërruan shpejt në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj pushtetit të tij.
“Rebelimi i fundit ishte i ngjashëm me një grusht shteti. Sigurisht që ai u shtyp,” tha ai, duke akuzuar protestuesit për sulme ndaj institucioneve shtetërore, policisë, bankave dhe xhamive, si dhe për djegien e kopjeve të Kuranit.
Sipas Human Rights Activists News Agency, mbi 49.500 persona janë ndaluar dhe të paktën 6.713 kanë humbur jetën, shumica protestues. Autoritetet iraniane i kundërshtojnë këto shifra, duke deklaruar deri më 21 janar 3.117 viktima, ndërsa pjesën tjetër i kanë cilësuar si “terroristë”. Verifikimi i pavarur mbetet i vështirë për shkak të bllokimit të internetit në vend.
Parlamenti iranian kundër BE-së
Ndërkohë, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, deklaroi se Irani i konsideron tashmë të gjitha ushtritë e Bashkimit Evropian si organizata terroriste, pas vendimit të BE-së për të shpallur Gardën Revolucionare një grup terrorist për rolin e saj në shtypjen e protestave.
Qalibaf, ish-komandant i Gardës, e bëri deklaratën teksa deputetët u shfaqën me uniforma të Gardës Revolucionare në shenjë mbështetjeje.
“Duke goditur Gardën Revolucionare, e cila ka qenë pengesa kryesore ndaj përhapjes së terrorizmit në Evropë, evropianët në fakt kanë qëlluar veten në këmbë,” tha ai.
Seanca parlamentare u shoqërua me thirrje si: “Vdekje Amerikës!” dhe “Vdekje Izraelit!”.
Trump: Irani po negocion seriozisht
Presidenti Trump ka përcaktuar dy vija të kuqe për ndërhyrje ushtarake: vrasjen e protestuesve paqësorë dhe ekzekutimet masive të të arrestuarve. Ai ka rikthyer gjithashtu në vëmendje programin bërthamor iranian, pas përplasjes ushtarake 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit në qershor, gjatë së cilës SHBA bombardoi tre objekte bërthamore iraniane.
Duke folur për gazetarët, Trump u shpreh se Irani duhet të arrijë një marrëveshje “të kënaqshme” për të mos zhvilluar armë bërthamore, por shtoi:
“Nuk e di nëse do ta bëjnë. Por po flasin me ne. Po flasin seriozisht.”