Vendosni fjalën kyçe....

Shefja e Inteligjencës Tulsi Gabbard nis “gjuetinë” për zgjedhjet e vitit 2020


Tulsi Gabbard, drejtoreshë e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, ka kaluar disa muaj duke rishqyrtuar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat Donald Trump i humbi, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë. Në kuadër të këtij angazhimi, ajo ishte e pranishme të mërkurën gjatë një kontrolli të FBI-së në një qendër zgjedhore në shtetin e Xhorxhias.

Gabbard po drejton përpjekjet e administratës për të rihapur çështjen e zgjedhjeve dhe për të identifikuar shkelje apo krime të mundshme, një prioritet personal i Presidentit Trump, thanë burimet zyrtare.

Ky rol përfaqëson një devijim nga detyrat tradicionale të Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, i cili zakonisht fokusohet në sigurimin e informacionit të nevojshëm të sigurisë kombëtare për presidentin. Sipas The Wall Street Journal, Gabbard është përjashtuar nga disa diskutime të rëndësishme të politikës së jashtme, përfshirë një operacion në Venezuelë në fillim të këtij muaji.

Zyrtarët thanë se ajo ka shqyrtuar informacion mbi makinat e votimit, ka analizuar të dhëna nga shtetet kyçe zgjedhore dhe ka ndjekur pretendimet e përsëritura të Trump-it se zgjedhjet e vitit 2020 u manipuluan, veçanërisht përmes ndërhyrjes së huaj.

Gabbard ka informuar rregullisht Trump-in dhe shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, për ecurinë e hetimit, si dhe ka bashkëpunuar me zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë, me avokaten e jashtme të Trump-it Cleta Mitchell dhe me Kurt Olsen, një jurist i njohur për mbrojtjen e pretendimeve për mashtrim zgjedhor në vitin 2020, i cili aktualisht shërben si punonjës special i qeverisë.

Megjithëse Gabbard është konsultuar me përfaqësues të komunitetit të inteligjencës mbi akuzat për ndërhyrje të huaj, deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë e re publike. Ajo pritet të përgatisë një raport përfundimtar mbi gjetjet e saj. Paralelisht, administrata po shqyrton mundësinë e nxjerrjes së urdhrave ekzekutivë që lidhen me procesin e votimit përpara zgjedhjeve afatmesme.

Ekspertë të sigurisë kibernetike, specialistë të zgjedhjeve dhe ish-zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare — përfshirë disa që shërbyen gjatë mandatit të parë të Trump-it — kanë deklaruar prej vitesh se nuk ekzistojnë prova për mashtrime apo manipulime të përhapura në zgjedhjet e vitit 2020.

“Presidenti Trump dhe ekipi i tij janë të vendosur të sigurojnë që zgjedhjet në SHBA të mos manipulohen më kurrë,” tha zëdhënësja e tij, Karoline Leavitt, duke theksuar rolin udhëheqës të Gabbard në këtë proces. Ndërkohë, zyra e Gabbard deklaroi se Drejtorja e Inteligjencës Kombëtare ka një rol thelbësor në identifikimin e dobësive të infrastrukturës kritike dhe në parandalimin e shfrytëzimit të tyre, duke vepruar gjithmonë brenda autoritetit të saj ligjor.

Të mërkurën, agjentët e FBI-së kontrolluan zyrën kryesore zgjedhore të kontesë Fulton në Xhorxhia, duke kërkuar dokumente që lidhen me zgjedhjet e vitit 2020.

Sipas një zyrtari amerikan të njohur me çështjen, urdhri i gjykatës autorizonte sekuestrimin e fletëvotimeve fizike, listave të votuesve, imazheve të skanuara të votave dhe të dhënave nga makinat e numërimit, në kuadër të një hetimi për shkelje të mundshme të ligjeve federale mbi ruajtjen e dokumentacionit zgjedhor dhe përdorimin e votave të falsifikuara. Gabbard udhëtoi drejt Xhorxhias dhe ishte personalisht e përfshirë në këtë operacion.

Kritikët e kësaj nisme e konsiderojnë hetimin të panevojshëm. “Këto zgjedhje i përkasin një kohe gjashtë vite më parë. Nuk ka kthim pas,” tha Ken Block, një konsulent që analizoi pretendimet për mashtrim në vitin 2020 për fushatën e Trump-it, pa gjetur prova që do të ndryshonin rezultatin.

Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, përqendrimi i Gabbard mbi këtë çështje e ka forcuar pozicionin e saj politik pranë Trump-it. Ajo ka qenë gjithashtu e përfshirë në promovimin e akuzave se ish-Presidenti Barack Obama dhe zyrtarë të administratës së tij krijuan një narrativë të rreme mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Këto akuza janë hedhur poshtë nga përfaqësues të Obamës si “bizare”, ndërsa një hetim dypartiak dyvjeçar i Senatit konfirmoi se ndërhyrja ruse synonte të dëmtonte Hillary Clinton dhe të përmirësonte shanset e Trump-it.

Demokratët kanë reaguar ashpër ndaj rolit të Gabbard. Senatori Mark Warner, demokrati kryesor në Komitetin e Inteligjencës së Senatit, tha se ose Gabbard po mban të fshehta shqetësime serioze të sigurisë kombëtare, ose po demonstron mungesë të thellë kompetence për postin që mban.

Posti i Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare u krijua pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 për të përmirësuar koordinimin mes agjencive të inteligjencës amerikane, të cilat, si CIA dhe NSA, fokusohen kryesisht në veprimtari jashtë territorit të SHBA-së dhe kanë kufizime strikte për operacione të brendshme.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ