Vendosni fjalën kyçe....

PD denoncon qeverinë dhe Ergys Agasin: Do ndërtojë kompleksin në zonën e Eco-Parkut



Në një dalje për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka hedhur akuza të forta në drejtim të qeverisë Rama dhe ndaj biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK.

Sipas Vangjelit, Agasi është i përfshirë në ndërtimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit në zonën e Spitallës, pranë Eco-Parkut të Durrësit, një zonë që sipas saj lidhet me projekte të dyshimta dhe hetime të pazbardhura.

“Të nderuar qytetarë, sot do t’ju prezantojmë një tjetër projekt ku lidhet emri i Edi Ramës, Ergys Agasit, investitorëve arab të portit të Durrësit dhe zona e Spitallës, aty ku ndodhet Eco Parku i famshëm”, deklaroi Vangjeli.

Ajo shpjegoi se më 26 prill 2023 është lidhur një marrëveshje bashkëpunimi mes Manchester City Football Club, Eagle Hills Properties, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Durrësit, për krijimin e një partneriteti futbolli dhe akademie elitare.

Sipas PD-së, procesi ka vijuar me përgatitjen e projekt-idesë arkitekturore në qershor 2023 dhe më pas, më 28 korrik 2023, me miratimin e urdhrit të MAS për krijimin e fondacionit “Dyrrah City Football Academy”.

Vangjeli theksoi se me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 580, datë 11 tetor 2023, “Edi Rama ka vendosur që prona shtetërore me mbi 200 mijë metra katrorë në zonën kadastrale 8517, në Spitallë, t’i vihet në dispozicion ndërtimit të kompleksit të Akademisë së Futbollit”.

Ajo ngriti alarmin se bëhet fjalë për të njëjtën zonë ku ndodhet Eco-Parku, për të cilin, sipas saj, janë shpenzuar 19 milionë euro pa një vendimmarrje përfundimtare ligjore.
“Kjo është pikërisht e njëjta zonë kadastrale 8517, ku ndodhet Eco Park-u famëkeq”, u shpreh Vangjeli.

Në vijim, më 2 shkurt 2024, fondacioni ka shpallur ftesën për ndërtimin e kompleksit me vlerë 10 milionë euro, ndërsa më 24 prill 2024 është shpallur fitues “Futboll Club Dinamo City” sh.a.

Sipas denoncimit të PD-së, pikërisht në këtë fazë shfaqet edhe emri i Ergys Agasit. “Pak ditë para shpalljes së fituesit, në dokumente shfaqet Ergys Agasi, i cili bëhet pjesë e pronësisë së klubit”, deklaroi Vangjeli, duke shtuar se më 31 mars 2024 ai ka blerë 30% të aksioneve për 220 mijë euro.

PD e cilëson këtë rast si një tjetër shembull të lidhjes mes politikës, biznesit dhe projekteve publike me vlerë të lartë financiare, duke kërkuar transparencë dhe hetim të plotë nga organet e drejtësisë.