Vendosni fjalën kyçe....

Kryebashkiakët francezë u shpallin luftë bandave të drogës


Kryebashkiaku i Monpeljesë, Michaël Delafosse, ka zgjedhur një qasje të pazakontë për të goditur rrjetet e trafikut të drogës: shembjen e bizneseve të dyshuara për pastrim parash dhe zëvendësimin e tyre me korsi biçikletash.

Në një mëngjes të lagësht dhjetori në qytetin jugor francez, ekskavatorët nisën shkatërrimin e një vargu rrojtoreje dhe dyqanesh të hapura 24 orë, për t’i hapur vendin një shtegu për biçikleta. Sipas Delafosse, dhjetë prej këtyre lokaleve shërbenin si fasada për pastrimin e parave të drogës.

“U detyruam të veprojmë,” tha kryebashkiaku socialist në vendngjarje, duke theksuar se procesi ligjor për rimarrjen e pronave dhe dëbimin e qiramarrësve kishte zgjatur me muaj.

Një problem në përhapje në gjithë Francën

Narkotrafiku po shndërrohet në një kërcënim kombëtar, nga përplasjet vdekjeprurëse mes bandave në Marsejë, deri te shpërthimet e dhunës në qytete më të vogla, ku më parë konflikte të tilla ishin të rralla. Autoritetet janë gjithnjë e më të alarmuara nga forcimi i rrjeteve kriminale, i nxitur nga rritja e ndjeshme e konsumit të kokainës.

Çështja ka marrë peshë politike përpara zgjedhjeve lokale të marsit, të cilat shihen si provë e rëndësishme përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027. Sondazhet tregojnë se siguria është shqetësimi kryesor i votuesve, përpara strehimit dhe shëndetësisë – një terren që tradicionalisht favorizon të djathtën dhe që mund të forcojë partinë e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, Rassemblement National.

Kundërpërgjigjia e qeverisë

Qeveria franceze mbron qasjen e saj. Po atë mëngjes dhjetori, Presidenti Emmanuel Macron zhvilloi një tjetër vizitë në Marsejë për të mbikëqyrur një operacion kundër drogës. Vizita pasoi vrasjen e 19-vjeçarit Mehdi Kessaci, vëllai i një aktivisti kundër dhunës së bandave – një ngjarje që tronditi opinionin publik.

Macron shpalli rritjen e gjobave për përdorimin e drogës nga 200 në 500 euro, duke e quajtur këtë pjesë të një “lufte” të drejtpërdrejtë kundër trafikantëve. Ai rikujtoi gjithashtu investimet prej 5 miliardë eurosh në Marsejë që nga viti 2021, të fokusuara në infrastrukturë, arsim, siguri dhe prani më të fortë policore.

“Nuk ka më zona të paprekshme”

Fenomeni nuk kufizohet vetëm në Francë. Paralajmërime për fuqinë dhe pasurinë e kartelave po vijnë nga Spanja, Belgjika dhe vende të tjera evropiane. Megjithatë, kryebashkiakët francezë theksojnë se burimet lokale janë të pamjaftueshme për të përballuar këtë sfidë.

Në Monpelje, një seri zjarrvëniesh ndaj dyqaneve të dyshuara kulmoi me një incident vdekjeprurës në nëntor, i hetuar si hakmarrje mes bandave. Ndërkohë, qytete si Nantes, Clermont-Ferrand, Grenoble dhe Nice, dikur relativisht të qeta, po raportojnë rritje të dhunës së lidhur me drogën.

“Nuk ka më zona të mbrojtura,” tha Ludovic Friat, kreu i një sindikate të magjistratëve, duke shtuar se droga është bërë më e përhapur dhe më e lehtë për t’u siguruar.

Zgjidhje “artizanale”

Delafosse pranon se shumë kryebashkiakë janë të detyruar të përdorin metoda improvizuese (DIY) dhe bën thirrje për një arsenal ligjor shumë më të fortë. Bashkia e Monpeljesë shpenzoi rreth 800,000 euro për të blerë 14 dyqane, për të projektuar korsinë e biçikletave dhe për të pastruar zonën nga azbesti.

“Është një projekt mjedisor jashtëzakonisht i kushtueshëm,” tha ai me ironi. “Por në këmbim, u rikthejmë qetësinë mijëra banorëve. Po bëj atë që mundem me mjetet që më jep ligji.”

Ai ka angazhuar edhe agjentë privatë sigurie, pa armë, për të larguar persona të dënuar për drogë nga banesat sociale dhe kërkon që kryebashkiakëve t’u jepet e drejta e vetos për hapjen e bizneseve të reja.

Dyqane pa klientë, por me xhiro të dyshimtë

Shumë rrojtore dhe dyqane të vogla dyshohen se ekzistojnë vetëm për pastrim parash.

“Janë hapur gjithë ditën e diel dhe nuk sheh asnjë klient,” tha Yves Martinot, një pensionist vendas. “Nuk bëhen shumë qethje aty.”

Qeveria njoftoi se një ligj i ri anti-drogë do të lejojë mbylljen e përkohshme të bizneseve për deri në gjashtë muaj në rast dyshimesh për pastrim parash, ndërsa kontrollet tatimore po intensifikohen, shkruan FT.

Presion elektoral

Në Marsejë, dhuna e lidhur me drogën po shtyn një pjesë të elektoratit drejt ekstremit të djathtë. Edhe në Monpelje, Delafosse tha se vepron pikërisht për të mos i lënë këto çështje në duart e populistëve.

“Nuk dua t’ua dorëzoj këto probleme atyre që i shfrytëzojnë politikisht,” tha ai.

“Detyra jonë është t’u tregojmë qytetarëve se ekzistojnë zgjidhje reale.”