
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka kritikuar ndryshimet e propozuara në Kodin e ri Penal për median.
Në fjalën e saj në seancën e sotme ajo shkruan se liria e medias në vend ka pësuar rënie të madhe që nga viti 2004 dhe kjo tregon për rrënimin dhe kapjen e medias nga Edi Rama.
“Së pari, prej disa muajsh së bashku me një grup shumë të mirë ekspertësh, gazetarësh, juristësh, aktivistësh, kemi punuar për të sjellë në Kuvend një amendim për Kodin Penal. Kjo është nismë që ne si PD e propozojmë jo thjesht për rregullim burokratik, por sepse këmbanat e alarmit për median në Shqipëri, bien aq fort saqë ata që kanë mbyllur veshët nga zhurma e propagandës së pushtetit, nuk e dëgjojnë. Realiteti i medias nuk është kaq rozë sa u prezantua këtu. Kujtesa është shpesh armiku më i madh i kësaj qeverie. Në vitin 2004, Shqipëria rënditej në vendin e 34 në botë për lirinë e medias. Në vitin 2014, Shqipëria ishte ne vendin 85, sot Shqipëria është në vendin e 99. Ky është rrënim, certifikim ndërkombëtar i kapjes së medias nga interesat e pushtetit. Analiza bëhet më e zymtë kur shohim edhe indeksin e demokracisë. Shqipëria klasifikohej si autokraci elektorale.” – tha Tabaku.
Ajo shtoi më tej se ligji penal sot përdoret si mjet presioni politik dhe për këtë flasin 45 incidentet e rënda ndaj gazetarëve vetëm në vitin 2024.
Tabaku propozoi shfuqizimin e neneve 119 dfhe 120 duke argumentuar se shpifja dhe fyerja nuk mund të jenë vepra penale.
“Sot ligji penal përdoret si presion, e përdorni si mjet presioni politik. Vetëm në 2024, janë shënuar 45 incidente të rënda ndaj gazetarëve. Këto tregues targetojnë kryesisht gazetare gra. Nuk ka integrim europian me gazetarë që rrinë nëpër gjykata për shkrimet e tyre. Ligji penal nuk mund të përdoret për të mbrojtur reputacionet e politikanëve. Propozimi është i qartë, i drejtë, europian, e ndarë në dy shtylla. Shtylla e parë është liria, kërkojmë shfuqizimin e neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal, shpifja dhe fyerja nuk mund të jenë vepra penale. Sigurisht që nëse dikush ka ankesë,e mbron me ligjin civil, por pranga dhe qelia nuk mund të jenë kërcënim për fjalën e lirë. Kush prek një gazetar duhet të dënohet njësoj, gazetari është shërbyes publik. Ky amendament nuk ka absolutisht asgjë politike. Ky është ligj që duhet ta bashkojë këtë parlament. Sot, kemi zgjedhje të qartë para vetes, mund të votohet kundër, ose të mbahet Shqipëria në këtë listë. Me ligjin që ka sjellë qeveria shqiptare dhe ndryshimet në kod, asnjë gazetar nuk do të përfitojë. Unë shpresoj që kolegët t’i thërrasin arsyes së tyre.”, theksoi Tabaku.